Loading...

Java Kombëtare e Ujit, Balluku: Investime për furnizim 24 orë për të gjithë qytetarët

Në kuadër të Javës Kombëtare të Ujit në Shqipëri, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me zëvendësministrin, Hantin Bonati dhe kreun e AKUM, Alqi Bllako, ishin në shkollën “E Kuqe” në Tiranë, ku biseduan me nxënës të kësaj shkolle rreth vlerave të ujit, por edhe rëndësisë së mos shpërdorimit të tij.

Në bisedën me nxënësit, ministrja Balluku e cilësoi tepër të rëndësishëm rolin e tyre për ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë për një çështje kaq jetike, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se në vitet e fundit Qeveria shqiptare ka investuar shumë në rrjetin ujësjellës me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët, jo vetëm në zonat urbane por dhe ato rurale.

“Vitet e fundit Qeveria shqiptare ka investuar shumë në sektorin e ujit. Pavarësisht se Shqipëria është një nga vendet më të pasura me rezerva ujore të ëmbla, nuk kemi pasur rrjete funksionale sidomos në zonat rurale. Ne sot jemi duke investuar shumë në këtë pjesë që t’i ofrojmë të gjithë banorëve të Shqipërisë, kudo që ata jetojnë, si në zonat rurale ashtu dhe në qytete, sepse nganjëherë edhe qytetet i kanë linjat e amortizuara dhe të vjetra, ujë të pijshëm 24 orë pasi, siç ju e dini uji i pijshëm është një e drejtë e çdo qytetari”, tha ministrja Balluku.

Ministrja kërkoi që nxënësit e kësaj shkolle të bëhen shembull edhe për moshatarët e tyre dhe jo vetëm për ujin por edhe për çështje të tjera sensitive.

“Dua që ju të jeni një shembull për të gjithë fëmijët e tjerë dhe të gjithë shkollat e tjera në vendin tonë. Është shumë e rëndësishme që ju të luani rol në shoqëri. Shkolla është detyrim për të gjithë, siç është puna për të gjithë, kurse roli i një njeriu, i cili punon për mbrojtjen e planetit , për të sensitivizuar të tjerët, për çështje që janë çështje jetike, është një veprim që jo të gjithë e bëjnë. Dhe ju, që jeni këtu duhet të bëheni shembull për fëmijët e tjerë. Vullnetarizmi ndoshta në ditët e sotme është ajo që duhet të bëjmë, si për të mbrojtur mjedisin, si për të ndihmuar shtresat në nevojë”, theksoi ministrja Belinda Balluku.

Zëvendësministri Bonati krahas kujdesit që duhet treguar në menaxhimin e ujit u ndal edhe tek një tjetër shqetësim, siç është ndotja e tij që vjen nga plastika. “Ne duhet të kemi shumë kujdes në përdorimin e ujit. Gjithashtu, kujdes në çështjet e ujit duhet të kemi dhe nga plastika që është një nga problematikat kryesore sot në botë. Përveç mbrojtës së burimit ujor dhe konsumin e tij duhet ta mbrojmë këtë ujë për të ardhmen. Për ne uji është baza e jetës dhe duhet të kujdesemi të gjithë për të”, u shpreh Bonati.

Kreu i AKUM, Alqi Bllako, ndau me nxënësit angazhimin e Agjencisë që drejton, që brenda një kohe shumë të shkurtër në të gjithë Shqipërinë të ketë furnizim të pandërprerë dhe me cilësi me ujë të pijshëm. “Ne jemi të angazhuar në të gjithë Shqipërinë dhe po bëjmë të mundur që brenda shumë pak kohe të sigurojmë furnizim të pandërprerë dhe cilësor, jo vetëm për gjithë qytetet tona, por për të gjithë banorët e Shqipërisë sepse është një fakt shumë i rëndësishëm, ne jemi vend i bekuar, jemi vendi i dytë në Europë sa i përket burime ujore”, nënvizoi Bllako.

Gjatë këtij aktiviteti, së bashku me nxënësit e klubit të mjedisit në shkollën “E Kuqe” u demonstrua një prej mënyrave të matjes së cilësisë së ujit të pijshëm./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com