Një qendër grumbullimi dhe përpunimi për mishin me kapacitet përpunues tepër të lartë, ku përllogaritet 600 – 700 krerë për një ditë ka nisur të ndërtohet në Tepelenë.
Lajmi u bë i ditur nga bashkia e Tepelenës, e cila thekson se “ky projekt kap vlerën e rreth dy milion euro dha ka një afat kohor maksimal 24 muaj. Ai do të bëhet i mundur falë iniciativës private dhe mbështetjes maksimale nga ana institucionale nëpërmjet fondeve të IPARD II dhe Qeverisë Shqiptare”.
“Duket e pabesueshme që një investim i standardeve europiane ti shkoj Tepelenës në një kohë kur gjithë tregu blegtoral, të paktën në qarkun e Gjirokastrës megjithëse është baza e ekonomisë për banorët e zonave rurale, vijon me problemet e qëndrueshmërisë së tregut, pa diskutuar këtu për trajtimin dhe standardet që duhet të ketë ky produkt, për të qenë pjesë e një tregu europian”, – shprehet bashkia.
Sipas bashkisë, vlen të theksohet fakti që impianti përpunues i mbetjeve nga aktiviteti është fjala e fundit e teknologjisë, ç’ka do të thotë 0 aktivitet ndotës.
Vendndodhja e objektit është mjaft potenciale për Tepelenën, pasi kap në distancë thuajse të barabartë të treja Njësitë Administrative, e vendosur pranë ish-SMT (Ura e Bënçës).
“Ky lajm i thënë shpesh në takimet elektorale me banorët dhe kryesisht blegtorët, ka qenë një nga detyrimet kryesore të kryetarit të bashkisë Peçi, i cili ka bërë gjithë përpjekjet maksimale, për realizimin e këtij investimi tepër të rëndësishëm që kontribuon mjaft për ekonominë familjare në fshatra, duke krijuar edhe vende të reja pune”, – shprehet bashkia e Tepelenës.
Tepelena është një zonë ku blegtoria mund t’i shërbejë tryezave të mikpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël të agroturizmit. /atsh