Dhjetëra artistë të rinj shqiptarë e serbë, kanë punuar sot së bashku murale të ndryshme, duke kthyer kështu urën e Ibrit në qytetin e Mitrovicës në një instalacion artistik.
Ky ishte edicioni i dytë në kuadër të festivalit të muraleve ‘Nomad’, që u organizua nga organizata joqeveritare ‘Futja ngjyrë’ nga jugu dhe organizata ‘Link’ nga veriu i Mitrovicës.
Drejtori i OJQ-së ‘Futja ngjyrë’, Bardhyl Dobroshi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se qëllimi i krijimit të këtyre muraleve është që të ndryshohet pamja e qytetit për të mirë.Ai shpreson se vitet në vijim ky qytet do të mbushet akoma më shumë me murale të tilla dhe atraktive.
Në anën tjetër, Millan Dobriç, nga organizata joqeveritare ‘Link’, me seli në veri të Mitrovicës, tha se qëllimi i krejt kësaj është që sa më shumë të rinj të përfshihen në këtë aktivitet, në mënyrë që qoftë edhe për pak çaste të harrohen problemet e që ndërlidhen me politikë.Sipas tij, pak ka rëndësi cilit komunitet i përket, sepse problemet dhe gjërat që bëjnë janë të ngjashme, ndërsa synimi është të punohet.
Kjo ngjarje që përveç krijimit të muraleve të sotme, ka përfshirë kamping dhe work-shope të ndryshme gjatë ditëve të kaluara, ka kushtuar mbi 8 mijë euro, ndërsa është financuar nga Fondacioni kosovar për shoqëri të hapur dhe Drejtoria e Kulturës në Mitrovicë./KosovaPress/