Loading...

I jepet lamtumira e fundit dy familjeve Cara e Greku, i pranishëm kryeministri Rama

Në Thumanë po zhvillohet ceremonia mortore e pjesëtarëve të familjeve Cara e Greku, ku familjarë dhe qytetarë të shumtë po u japin lamtumirën e fundit.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Lamtumirë! Asnjë ngushëllim për zemrat që dhembin e humbja nuk ka dert në dy familje në Thumanë, Caraj dhe Greku. Kurajë për të gjallët që në kujtime ruajnë të humburit nga ky tërmet i pabesë”, ishte mesazhi ngushëllues që përcolli kryeministri Rama.

Tre ditë pas tragjedisë që shkaktoi tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë me magnitudë 6.3 Rihter sot po zhvillohet ceremonia mortore e dy familjeve, Cara dhe Greku të cilët u zunë poshtë nga rrënojat e pallateve.

Familja Cara është një nga më të prekurat e kësaj fatkeqësie, pasi 7 anëtarë të kësaj familje kanë gjetur vdekjen në gërmadhat e pallateve të shembura.

Një vajzë e afërme e njërës prej familjeve ka takuar ndër të parat kryeministrin duke shpërthyer në vaj.

Vëllai i Albert Carës, të lënduarit i cili u nis sot për një trajtim më të specializuar drejt Italisë, teksa takoi kryeministrin nuk e fshihte dhimbjen.

“Zoti e kishte shkruar që dy të na i falte dhe 7 të na i merrte. Në momentin kur ngrihemi….. besoj se do t’a kalojmë Të lutemi për ata që janë gjallë. Dhimbje pa fund. Zoti na ka ndihmuar pasi tragjedia mund të ishte më e rëndë.”, shprehet ai.

Nga tërmeti i 26 nëntorit, Alberti humbi komplet familjen e tij, bashkëshorten, 3 fëmijët (dy djem dhe një vajzë) dhe nusen e djalit, ndërkohë që humbën jetën edhe familjarë të tjerë të tij./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com