Seanca e djeshme parlamentare, ku u votuan anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë më në fund funksional këtë institucion pas kohësh pa kuorumin e nevojshëm të anëtarëve, tregoi qartë ndarjen mes atyre që i duan, apo jo institucionet kushtetuese në Shqipëri. Kështu u shpreh, i ftuar në një studio televizive mbi ngërçin për Kushtetuesen, deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.
“Deri dje, shumë aktorë artikulonin dashurinë e madhe për institucionet kushtetuese, por seanca e djeshme tregoi ndarjen e qartë mes atyre që duan institucione kushtetuese dhe thellimin e reformave dhe atyre që kanë penguar reformën në drejtësi dhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese,” u shpreh Hyseni.
Duke iu referuar Presidentit të Republikës, i cili nuk e shfrytëzoi të drejtën e tij për përzgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, deputeti socialist tha se detyra e vetme e kreut të shtetit është zbatimi i Kushtetutës, por edhe këtë detyrë ai nuk e zbaton.
“Roli i vetëm i Presidentit është të bëjë Presidentin. Ftesa është të zbatojë Kushtetutën, edhe pse ka një dispozitë, që është reminishencë e kuptimit të kaluar të Kushtetutës, flas për nenin 129, besoj që është një akt ceremonial dhe Presidenti është i detyruar pikërisht të bëjë këtë akt,” deklaroi më tej Hyseni.
Institucionet, sipas tij, janë shprehur vetë për anëtarët: “Dy ditë para skadimit të afatit ngriti pretendime që s’janë as kushtetuese, as koherente me qëndrimin e artikuluar për kompletimin e Gjykatës Kushtetuese një orë e më parë. Presidenti e ushtroi të drejtën e tij në vakancën e parë, por nuk e ushtroi në vakancën e tij, automatikisht personi i parë i shpallur në atë listë u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese,” tha më tej deputeti Hyseni, duke shtuar se, “Kuvendi zgjodhi ta ushtrojë këtë kompetencë në të dy rastet më një kuorum të tillë që dha edhe mesazhin se është vullneti i shqiptarëve për të kompletuar këtë institucion të rëndësishëm”.
Nga ana tjetër, Hyseni tha se tashmë me 5 anëtarë, Gjykata Kushtetuese fillon funksionimin. “Ne do vazhdojmë me plotësimin e vakancave të tjera, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara. Ndërsa sa i takon Gjykatës së Lartë, me fillimin e vitit do të kemi plotësimin me minimunim e nevojshëm të anëtarëve”, u shpreh më tej deputeti i PS, Alket Hyseni. /atsh