Gjermania dhe Europa festojnë sot 30-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit që i dha fund ndarjes së kontinentit, në një atmosferë mosmarrëveshjesh mes aleatëve të asaj kohe të Luftës së Ftohtë.
Shenjë e mungesës së entuziazmit për këtë Jubile, asnjë prej drejtuesve perëndimorë nuk do të jetë sot në Berlin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo la vendin dje në mbrëmje pas një vizite dyditore dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të mbërrijë nesër në Gjermani për një darkë me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Dy ditë para këtij përvjetori, presidenti francez bëri një deklaratë të ashpër duke e “diagnostikuar” NATO-n në “gjendje të vdekjes cerebrale”.
Macron shprehu keqardhje për mungesën e koordinimit mes SHBA-së dhe partnerëve të NATO-s dhe Turqisë, anëtare e Aleancës që ka ndërhyrë së fundi në veri të Sirisë.
Duke braktisur tonin e saj të matur, Angela Merkel, gjithmonë shumë atlantiste, theksoi se nuk ndante të njëjtin vizion “radikal” dhe “gjykim të papërshtatshëm” me Macron.
– Paralajmërim –
Keqkuptimeve, mes aleatëve të epokës së fundit të Luftës së Ftohtë , iu shtohet edhe një klimë e rëndë gjeopolitke ndërkombëtare.
Në Berlin, Mike Pompeo u kërkoi vendeve perëndimore të mbrojnë atë që ishte fituar me mund në vitin 1989 dhe të kenë parasysh se ne jemi në një garë vlerash me kombet jo të lira, duke i drejtuar gishtin në mënyrë të veçantë Kinës dhe Rusisë.
Pavarësisht këtij konteksti të errët, berlinezët kujtojnë sot shëmbjen e Murit të Berlinit që ka ndarë qytetin e tyre për më shumë se 28 vjet deri mbrëmjen e 9 nëntorit 1989.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbajë një fjalim në Tempullin e Paqes, një vend i mbushur me histori, Bernauerstrasse, që ka qenë skenë e dramave gjatë ndërtimit të Murit më 13 gusht 1961.
– Kujtime –
Kancelarja, me origjinë nga Gjermania Lindore, do të shoqërohet nga presidentët e Sllovakisë, Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë, vende që 30 vite më parë përgatitën terrenin për shëmbjen e Murit të Berlinit.
Në mbrëmje do të jetë radha e presidentit të Republikës, Frank-Walter Steinmeier, për t’iu drejtuar turmës në portën e Brandeburgut.
Në planin e brendshëm gjithashtu, Gjermania është larg për të shfaqur të njëjtin optimizëm si 30 vite më parë. Angela Merkel ka pranuar se do të duhet një gjysmë shekulli për të përfunduar ribashkimin gjerman.
Ndarja politike dhe ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit shumë të pasur mbetet një çështje e nxehtë, veçanërisht me suksesin e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë.
“Tendencat nacionaliste dhe proteksioniste kanë fituar terren në botë”, theksoi Merkel.
Mesazhi anti-elitar dhe anti-sistem i ekstremit të djathtë ka qëlluar në shenjë në Lindje ku shumë prej “Ossis” (emri i ish-gjermano-lindorëve) theksojnë se ndjehen të trajtuar si qytetarë të shtresës së dytë.
Shëmbja e Murit të Berlinit, mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, u realizua në mënyrë paqësore dhe imazhet e njëri-tjetrit duke u përqafuar bënë xhiron e botës.
“Një moment lumturie”, theksoi Merkel.
“Është një moment që nuk harrohet kurrë. Ishte çmenduri! Muri ishte një fortesë e paprekshme dhe krejt papritur shëmbet”, kujton Thomas Wendt, 67 vjeç, që kaloi atë natë në Berlinin Perëndimor. (Nga Yannick Pasquet) //ec/