Loading...

Feja, si një instrument për paqen në Ballkan

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen”, organizuar në bashkërendim me Departamentin e SHBA ka deklaruar se dialogu dhe paqja duhet të mbizotërojnë si themeli i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vendet e Ballkanit.

“Është fjala e përbashkët, paqe, ajo që është vlera kryesore, e drejtë universale dhe e domosdoshme për të gjithë njerëzimin, pa dallim feje, përkatësie etnike, race, gjinie, kulture, shtrese sociale, ekonomike, apo çfarëdo qoftë kategorizimi tjetër. Mbi të gjitha dhe absolute është përkatësia e grupeve të njerëzimit në të drejtat dhe liritë universale të njeriut të cilat duhet të mundësohen njëlloj nga të gjithë sepse privimi i ndonjë të drejte a lirie natyrisht sjell deri në paqartësi dhe kjo është shprehja më e moderuar, por nëse ajo vazhdon e zgjerohet me përfshirjen e grupit të të pakënaqurve atëherë do të reflektojë në konflikte me përmasa të gjëra me ndjenjë diskriminimi dhe do të pasohet me rezistencë të bashkuar ndaj autoriteteve qeveritare, bashkësive etnike lidhur me përkatësinë e tyre fetare,” u shpreh Xhaferri.

Ai shtoi se, praktikimi i një feje nuk duhet të jetë në dëm të një feje tjetër, apo në diskriminimin e një feje tjetër, pasi liria e shprehjes u nënshtrohet rregullave të përgjithshme dhe duhet të jetë në përputhje me ligjin e kushtetutën.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Serbisë, Nikola Selakovic, në emër të Presidentit Aleksandër Vuçiç u shpreh se në Ballkan duhet të ekzistojë dialogu ndërfetar për të shmangur sfidat dhe rreziqet kundër paqes. Ai shtoi se në Serbi ekziston sot ligji më liberal në botë sa i takon lirive fetare.

“Parakusht për dialogun është garancia për lirinë e fesë. Barazia e komuniteteve fetare pavarësia e tyre nga shteti dhe ndalimi i çdo lloj rreziku janë ngritur sot në nivelin e Kushtetutës, ku një zë të veçantë zë ligji i kishave dhe komuniteteve fetare, që në vitin 2006, i cili njeh të gjitha fetë që ekzistojnë në Serbi. Është një nga ligjet më liberalë në botë. Model i bashkëpunimit mes kishës dhe shtetit,” u shpreh ndër të tjera Selakovic.

Ndërkohë, Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare, Sam Brownback i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Feja si një instrument për paqen” ka vlerësuar Shqipërinë si një vend me tradita fetare dhe si vendin perfekt për të organizuar këtë konferencë.

Në fjalën e tij, Brownback thotë se “për fat të keq është më e thjesht të ndahemi se sa të bashkohemi. Është detyra jonë të përdorim fenë si një instrument për paqen”. Ambasadori amerikan për Liritë Fetare Ndërkombëtare inkurajoi ndërveprim mes përfaqësues të ndryshëm fetar dhe ftoi dhe përfaqësuesit politik të dialogojnë.

“Ju inkurajoj të gjeni mënyrat për të ndërvepruar. Inkurajoj dhe përfaqësuesit politikë. Unë shpresoj që të ketë më shumë dialog mes përfaqësueseve të politikës dhe atyre fetarë. Politika është larg fesë, por duhet të shikojmë ndryshime ligjërisht, kështu ne ndërtojmë një shoqëri të qëndrueshme. Dialogu kuptimplotë, mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë”, nënvizoi Brownback. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com