Loading...

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”

Në Ditën Universale të të Drejtave të Fëmijëve, partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit kërkojnë nga institucionet shqiptare të reflektojnë mbi arritjet dhe sfidat për të siguruar që çdo fëmijë të gëzojë të drejtën e fëmijërisë në Shqipëri.

Shqipëria ka një kornizë të mirë legjislative, por qeverive vendore duhet t’u shkojë më shumë mbështetje, veçanërisht në zonat e thella, në mënyrë që të sigurohen shërbimet e duhura të integruara të kujdesit shoqëror për fëmijët dhe familjet e cënueshme.

Veprimtaria mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Save the Children, Terre des hommes, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri dhe Nisma ARSIS.

Këtë vit, Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve është gjithashtu 30-vjetori i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.

Në Shqipëri u festua me aktivitete të drejtuara nga fëmijë dhe të rinj në Korçë, ku fëmijë dhe të rinj të Shqipërisë folën për të drejtat e tyre.

Nën temën “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”, fëmijët ngritën zërin që të drejtat e tyre të respektohen dhe realizohen për çdo fëmijë, me fokus te bashkëmoshatarët më të pafavorizuar dhe më të cenueshëm, duke kërkuar adresimin e nevojave të tyre themelore.

Pa fjalime nga të rriturit, veprimtaria u mbajt si një seancë dëgjimore për të gjitha pyetjet dhe çështjet shqetësuese të ngritura nga fëmijët dhe të rinjtë, përmes shfaqjeve të tyre, për sfidat ekzistuese për të drejtat e arsimit, mbrojtjes, pjesëmarrjes dhe shëndetit.

Veprimtaria mblodhi së bashku fëmijë dhe të rinj nga Burreli, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Tirana dhe Vlora, me shfaqje teatrale ndërvepruese, histori personale në formën e bisedave TEDx, këngë beatbox, lojëra për të drejtat e fëmijëve, shfaqje me video, shkëmbime me influencues të famshëm , ekspozita, etj.

Fëmijët u përshëndetën nga disa prej figurave të njohura publike në Shqipëri dhe mbështetës të të drejtave të fëmijëve – Roland Hysi, Luiza Gega dhe Vitmar Basha, të cilët treguan historitë e tyre personale dhe u dërguan mesazhe frymëzuese fëmijëve.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin përfaqësues nga qeveria shqiptare, autoritetet vendore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, duke përfshirë Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Dr. Roberto De Bernardi – Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, Artina Morava – Drejtore e Programit World Vision, Alketa Lasku – Drejtore Vendore e Terre des hommes, Anila Meço, Drejtore Vendore e Save the Children, Teuta Shkenza, Drejtore Kombëtare e Fshatrave të fëmijëve SOS në Shqipëri, Julinda Vokopola Zëvendësdrejtore e e Nismës ARSIS dhe Ingrid Jones – Drejtore Ekzekutive e Partnerë për Fëmijë.

Të gjithë ata dëgjuan çështjet që kanë rëndësi për fëmijët shqiptarë dhe kërkesat e tyre për një shoqëri që ofron një të ardhme të mirë për të gjithë fëmijët.

Për të katërtin vit me radhë veprimtaria u organizua, u moderua dhe u prezantua nga fëmijë dhe të rinj, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Terre des hommes, Save the Children, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS dhe Nisma ARSIS. Ky aktivitet u mbështet edhe nga bashkia e Korçës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com