Dita e Flamurit mblodhi sot në Vlorë autoritetet më të larta shtetërore në një ceremoni solemne me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Flamuri Kombëtar u ngrit në mënyrë ceremoniale në Sheshin e Flamurit, në praninë e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, ku u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti që goditi vendin.
Në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti Meta u shpreh se, “sot nuk është një ditë për t’u festuar, por është dita për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar, Ditën e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë”.
“Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori dhe të gjithë sakrificave të etërve të Pavarësisë sonë, që kaluan sprova shumë herë më të rënda dhe më të vështira, për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit, është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga tërmeti”, tha Meta.
Njëkohësisht, shtoi ai, “duhet të jemi sa më pranë të gjithë atyre familjeve që kanë humbur të afërmit dhe të dashurit e tyre më të shtrenjtë në këto ditë, për të përballuar këtë dhimbje, por dhe për të parë me besim tek e ardhmja, në mënyrë që të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre, që u goditën drejtpërdrejt nga tërmeti dhe po vuajnë pasojat e tij, të rifillojnë sa më shpejt jetën normale”.
Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se, “Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit, të shtetit, të popullit dhe të bashkëjetesës sonë shoqërore dhe demokratike. Aq më tepër për të përmbushur një mision, të cilit nuk i jemi afruar në vitet e fundit, siç është ai i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që është një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, e të gjithë forcave politike dhe e mbarë kombit tonë.”/atsh