Loading...

Deri në vitin 2045 diabeti do të prekë 700 milionë njerëz

Numri i personave të moshës 20 dhe 79 vjeç me diabet pritet të arrijë në 700 milionë deri në vitin 2045, sipas studimeve të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF).

Diabeti, një nga sfidat shëndetësore në rritje të shpejtë e shekullit XXI nuk respekton as statusin socio-ekonomik, as kufijtë gjeografikë apo kombëtarë, me numrin e të rriturve që jetojnë me këtë sëmundje dhe që ka kaluar trefishin gjatë 20 viteve të fundit.

Sipas të dhënave nga botimi i fundit i Atlasit të Diabetit (IDF), një burim mbi barrën globale të diabetit tregoi se një në 11 të rritur të moshës 20-79 vjeç kanë diabet.

Mendohet se 463 milionë të rritur, të cilët përfaqësojnë 9,3 për qind të popullsisë botërore në këtë grupmoshë, aktualisht jetojnë me këtë sëmundje.

Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, deri në vitin 2030, IDF parashikon një rritje prej 10% të numrit të personave me këtë sfidë shëndetësore dhe që pritet të arrijë në 578 milionë.

Rreth dy dekada më parë, vlerësimi global i të rriturve që jetonin me diabet ishte 151 milionë, shifër e cila deri në vitin 2009 ishte rritur ndjeshëm me 88 për qind, duke shkuar në 285 milionë.

Vlerësohet se shumica dërmuese, rreth 80 % e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Botimi i fundit i Atlasit tregon se dy në tre persona me sëmundje jetojnë në zona urbane.

Shpenzimet vjetore globale të shëndetit për diabetin vazhdojnë të rriten çdo vit dhe parashikohet të arrijnë në 760 miliardë dollarë në 2019, ekuivalent me 10 % të shpenzimeve të përgjithshme globale të shëndetit.

“Shpenzimet globale për kombinimin e sëmundjes parashikohet të arrijnë në 825 miliardë dollarë deri në vitin 2030 dhe 845 miliardë dollarë deri në vitin 2045”, thuhet në raport.

“Në vitin 2019, numri i vdekjeve që rezultojnë nga diabeti dhe komplikimet e tij ka arritur në rreth 4,2 milionë”, vijon raporti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com