Më shumë se 411 mijë qytetarë kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në 10 muajt e parë të 2019, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Aktualisht ka dyfishim të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë që nga viti 2015, kur nisi ky program kombëtar për shëndetin e popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me shifrat e kontrollit mjekësor bazë të kryera nga qytetarët në janar-tetor 2019.
“411,503 qytetarë kanë kryer check up falas këtë 10 mujor të 2019. Më shumë se 12% më shumë krahasuar me 10 mujorin 2018”, thekson Rama.
Vitet e fundit ka ndryshuar qasja e qytetarëve që vijnë tek mjeku i familjes jo vetëm kur kanë problematika me shëndetin, por për kontrollin mjekësor periodik dhe këtë e tregojnë të dhënat. Ka një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve pasi vihet re se këtë vit ka një rritje të qytetarëve që kanë kryer kontrollin mjekësor bazë në qarqet Kukës, Dibër, Berat dhe Gjirokastër.
Të dhënat tregojnë se në rang kombëtar 26,2% e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë kanë vlera të larta të Kolesterolit (yndyrna të larta) që rrezikojnë të preken nga probleme të enëve të gjakut, zemrës dhe trurit nëse nuk ndryshojnë stilin e jetesës.
Në rang kombëtar 14,5 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë pre-diabetik ndërsa 8,6 % janë me diabet.
Në rang kombëtar 13,4 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë janë anemikë; 6,73 % e qytetarëve që kanë kryer Kontrollin Mjekësor Bazë rezultojnë me rritje të vlera të larta të enzimave të mëlçisë.
Janë zbuluar nga Kontrolli Mjekësor Bazë 400 raste me forma të ndryshme të leucemisë, të cilat janë ndjekur në kohë.
Prej prillit 2015 zbatohet në të gjithë vendin programi i kontrollit shëndetësor bazë pa pagesë për të gjithë shtetasit rezident të grupmoshës 35-70 vjeç. Përveçse qytetarët e kanë përfituar falas këtë shërbim shëndetësor, kontrolli mjekësor bazë ka ndikuar edhe në uljen e kostove të trajtimit të tyre, duke ulur invaliditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet jo të transmetueshme./atsh