Loading...

Çelet edicioni i 26-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës

Çeli siparin sot në Tiranë edicioni i 26 i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës Klik Ekspo Group në mjediset e Pallatit të Koncerteve ku Klik Ekspo Group është pozicionuar dhe do të qëndrojë i hapur nga datat 23-26 nëntor.

Stendat të pasura me produktet e sipërmarrjeve dhe informacionet për shërbimet nga agjencitë dhe institucionet publike e private u vizituan me kërshëri nga delegacionet e huaja të ftuara në këtë panair, të cilët pas vizitës në biznese dhe bisedave të shkurtra, morën pjesë në konferencën e hapjes.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi dha për biznesin lajmin e gëzueshëm se Tirana do të ketë Qendrën e Vetë të Panaireve.

“Panairet janë moment i mirë për të bërë një rezyme për punën e gjithë vitit. Çdo vit panairi zhvillohet, Tirana pasurohet dhe transformohet. Shqipëria po bëhet dita-ditës tërheqëse për investimet e huaja. Megjithë vështirësitë, ne jemi shumë të vendosur për të përmirësuar klimën e biznesit përmes reformave dhe kuadrit ligjor për të zhvilluar sipërmarrjen e shëndetshme, sepse besojmë tek ai”- u shpreh ministri Shalsi.

Ai gjithashtu bëri me dije për biznesin se sapo është krijuar një rrjet koordinatorësh për bizneset për të shmangur burokracirat e panevojshme që pengojnë bizneset në punën e tyre.

Edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti kishte një lajm për të shtuar dozat festive të kësaj dite. Ajo njoftoi të ftuarit se Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitet 2020-2020 pas çmimit të fituar duke thënë se “Tirana është shtëpia e 1 mln banorëve dhe një mjedis që lejon të gjitha sipërmarrjet e vendit dhe të huaja për të shpalosur avantazhet e tyre konkurruese për tu rritur e zhvilluar më tej”.

Në këtë edicion të 26 të panairit marrin pjesë edhe 20 sipërmarrje kineze. Ky 23 nëntor shënon një ditë të veçantë për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës, atë të 70-vjetorit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëdhëniet tregtare sipas INSTAT mes Kinës dhe Shqipërisë për 2018-ën rezultojnë të jenë 551 mln dollarë amerikanë duke e renditur Kinën partnerin e katërt tregtar.

Megjithatë, u shpreh ambasadori kinez në Tiranë, Zhon Ding, “Kina është shumë e interesuar për të rritur marrëdhëniet tregtare. Ambasada e Kinës ka patur shumë kërkesa që Shqipëria të eksportojë në Kinë prodhime bujqësore. Panairi është qasja më e mirë për njohje dhe thellim të bashkëpunimit. Jam i bindur që sipërmarrjet kineze do të marrin përvoja të reja dhe të veçanta nga ky panair”. Ambasadori vërejti gjithashtu se në këtë 1 vit e gjysmë në Shqipëri ka vërejtur se Tirana gjallëron nga aktivitetet dhe duket se dëshiron ta mbushë shpirtin dhe ta materializojë duke treguar edhe eksperiencën e disa ditëve në Panairin e Librit.

Përshëndeti edicionin e 26 të Klik Ekspo Group edhe Presidenti i Dhomës Serbe të Tregtisë Mihailo Vezoviç i cili falenderoi për eksperiencën 16 vjeçare në këtë panair.

Një nga partnerët e nderit të këtij panairi, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Stambollit, me eksperiencë 130 vjeçare dhe me 430 mijë biznese anëtare, përfaqësohej në Klik Ekspo Group nga zëvendës presidenti i saj Izrafill Kurullai.

“Kemi organizuar pesë panaire të prodhimeve turke në Shqipëri. Jemi të nderuar të marrim pjesë edhe në këtë panair kaq të madh e të rëndësishëm për sipërmmarjen. 300 biznese turke janë prezantuar në tregun shqiptar.Këto iniciativa kanë sjellë 3-fishim ose 1 mld dollar në vit shkëmbime tregtare. Pozita gjeografike e Shqipërisë me Turqinë, marrëdhëniet politike të deritanishme janë një ogur për thellimin e të gjitha marrëdhënieve tona”, tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com