Loading...

Buxheti 2020/ Klosi: Turizmi në fokus të qeverisë, 227 hotele të reja vetëm në 6-mujorin e parë

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë diskutimit në parim ditën e sotme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, mbi projektbuxhetin për vitin 2020 ka deklaruar se buxheti në këto dy fusha prioritare për jetën dhe ekonominë e qytetarëve shqiptarë është shtuar ndjeshëm.

“Qeveria ka shtuar investimet në mënyrë marramendëse qoftë në industrinë e mjedisit, qoftë dhe në atë të turizmit. Ministria është ndërtuar e tillë që të ketë misionin e saj parësor mbrojtjen e ekuilibrit të qëndrueshëm sa i përket turizmit dhe mjedisit. Këtë ekuilibër jemi munduar ta përkthejmë dhe në shifra buxhetore. Shumë fusha të ekonomisë së vendit dhe shumë investime shkojnë drejt turizmit dhe mjedisit,” u shpreh Klosi.

Ministri tha se numri i turistëve vitin që po mbyllet është rritur me afro 10% më shumë krahasuar me një vit më parë, gjë e cila është reflektuar edhe në shtimin e kapaciteteve akomoduese në vendin tonë, ku 227 hotele të reja janë shtuar vetëm në 6-mujorin e parë.

“Sot e gjithë bota po flet për mjedisin dhe kërkon që të shtohen investimet në këtë fushë, – tha Klosi, – pasi ka të bëjë me jetën dhe jeta gjithmonë e më shumë po vlerësohet, edhe në Shqipëri. Njëlloj është problematika, si ndotja në Krujë, ashtu dhe në lumin e Gjanicës, si cilësia e ajrit në Tiranë, edhe në Fier. Problematikat janë aq të mëdha dhe kërkesat janë të shumta por kemi nevojë edhe për bashkëpunimin e pushtetit vendor. Nuk ka probleme pastrimi i lumenjve, janë lumenj që kanë pastërti të veçantë, por ajo që ndodh rrugës i bën ata të papastër. Për sa kohë që venddepozitimet e ish-komunave dhe bashkive të vogla janë në shtratin e lumenjve, një shi bën që mbeturinat të shkojnë deri në Adriatik”.

Sa i përket nismave më të rëndësishme në lidhje me mjedisin, Klosi tha se është kryer bllokimi i guroreve në Malin historik e Krujës dhe Malin e Shenjtë të Tomorit, ndërsa 1 qershori tha ai do të shënojë Shqipërinë si të parin vend europian pa qese plastike.

Kreu i Komisionit të veprimtarive Prodhuese Niko Peleshi u shpreh se është mjaft e rëndësishme sot të qartësohen politikat e mjedisore, për t’iu treguar bashkive çfarë roli duhet të ndjekin në lidhje me trajtimin e mbetjeve dhe e ku ia vlen që ata të investojnë, te riciklimi, landfillet, apo inceneratorët.

“Kemi një model të Elbasanit me inceneratorin, po ndërtohen dy të tjerë dhe bashkitë marrin mesazhin që kjo është rruga, por një bashki e vogël e ka të pamundur inceneratorin. Prandaj duhet ta bëjmë pak më të qartë politikën për bashkitë që të shkojnë drejt landfilleve, si më e përshtatshme për buxhetin tonë. Nëse kryetarët e bashkive s’kanë buxhetin, s’kanë çfarë të bëjnë, sado sanksione t’iu vendosen. Landfilli i Maliqit ka kushtuar 10 milionë euro, që për 10 mijë vjet bashkitë e qarkut Korçë nuk do mundnin ta ndërtonin”, tha Peleshi.

“Kam qenë në 61 bashkitë e vendit, ku kemi trajtuar problematikën e mbetjeve urbane. Nuk e përballojnë dot të vetme, por ka një detyrim nga bashkitë që nuk zbatohen. Një pjesë e konsiderueshme nuk përllogarit dot sa kosto i duhet për trajtimin e mbetjeve. Bashkitë nuk mund të vazhdojnë të harxhojnë paratë për mbetjet urbane, pa asnjë llogaritje të kostove. Është momenti ta diskutojmë edhe në komision situatën e paimagjinueshme që ndodh sot,” tha Klosi.

Ministri Klosi tha se sot është pothuajse e pamundur të bëhet një ndërhyrje në mjedis, që mos të ketë reaksion qytetar.

“Ne jemi në fazë moratoriumi të pashpallur për HEC-et e vegjël. Po ndërtojmë një grup të përbashkët me disa ministri për të bërë një masterplan për zona ku mund të realizohen HEC-et. Ne kemi sistem hidrik bio që nuk dëmton mjedisit, por komunitetet janë bërë sensitive. Në 2 vite e gjysmë nuk kam firmosur asnjë HEC në zona të mbrojtura. Për sa iu përket zonave të tjera ka ardhur koha, ose të shkojmë në moratorium, ose të shohim si do veprojmë që këto HEC-e të mos dëmtojnë komunitetin,” tha Klosi.

Sa i përket pyjeve, ministri i Mjedisit u shpreh se janë gjithsej 9 koncesione aktive, pasi moratoriumi i përjashtonte kontratat e lidhura më parë. “Kamionët që dalin në foto janë të licencuara nga bashkitë. Inspektorati do jetë shumë më aktiv në monitorimin e koncensionarëve. Ligji i ri për pyjet ka kaluar për aprovim qeveritar për sa i përket edhe këtij fenomeni, çfarë po ndodh me ngrohjen drusore nga bashkitë, por në kuadër të moratoriumit jemi të suksesshëm, sepse kemi ndaluar industrinë e prerjes së pemëve. Politikat tona të mbjelljes së pemëve na shtojnë hapësirën për t’i kërkuar komunitetit të mbjellë më shumë pemë. Projekti i BB për regjistrimin e pyjeve po përfundon dhe pritet të realizojë bazën e të dhënave për pyjet dhe inventarizon pyjet në shkallë vendi,” u shpreh ministri Klosi.

Ministri Klosi është ndalur edhe te investimet e turizmit detar, por për të cilin tha ai nuk ka një kulturë të kultivuar mjaftueshëm në Shqipëri që mund t’i jepte zhvillim një sektori të tillë. “Ne nuk kemi investime të mëdha në marina, 3-4 marina janë në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të filluar punën, por neve na duhet të krijojmë një komunitet tjetër që nuk e kemi sot në Shqipëri për marinën. Është një kulturë e munguar, prandaj duam të hapim bisedat për turizmin blu, turizmin detar,” tha Klosi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com