“Taksa 100 lekë për domaten, i bën më të shtrenjta eksportet tona”, tha sot zv/kryeministri Erion Braçe, ndërsa i përgjigjet kryetarit të PD-së Lulzim Basha në lidhje me deklaratën e tij se fermerët paguajnë taksë 100 lekë për kg për domaten në import.
“Lexo Lylzim, lexo për domaten e vendit! Mëso që bilanci tregtar i domates në këtë vend është ky: Për vitin 2018-të, bujqit shqiptarë eksportuan 75 mijë tonë domate; Vlera e tyre 44 milionë dollarë! Janë para që në shumicën e tyre i kanë marrë bujqit e zakonshëm, kudo. Për vitin 2018, tregtarët shqiptarë importuan, 4 mijë tonë domate; Vlera e tyre 3 milionë dollarë! Pra, importi i domates në Shqipëri është veç 5% e sasisë së eksporteve tona, vlera e importit të domates në Shqipëri është veç 7% e vlerës së eksporteve tona! Diferenca është shumë e thellë, suficiti në këtë rast është shumë i madh. Pra, jemi thuajse eksportues neto në domate!”, shprehet Braçe.
“Boll u fole punëtorëve për idiotësi, domethënë taksë 100 lekë për kg për domaten në import!! Kuptoje që bujqit tanë as që i llogarisin importet e domates, po fare! Ajo që ti thua, nuk do shtrenjtojë 4 mijë tonë domate importi, do bëjë pa diskutim me të shtrenjta eksportet tona, për shkak të reciprocitetit që do vendosin të njëjtat vende ku ne eksportojmë! Ti mirë nuk i ke bërë kujt mirë, por mos i bëj dëm bujqve shqiptarë!”, thekson zv.kryeministri. /atsh