Bashkimi Europian në përgjigje të raportit të shefit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Bernd Borchardt paraqitur në Vjenë, tha se e mirëpret ngrohtësisht ngrohtësisht ambasadorin Bernd Borchardt, dhe e falënderon për paraqitjen e raportit përpara Këshillit të Përhershëm.
Në deklaratën përshëndetëse, thuhet se gjatë dy dekadave të fundit, Prania e OSBE-së ka kontribuar në zhvillimin pozitiv të Shqipërisë në partneritet me institucionet e vendit.
“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar me Prezencën e OSBE-së dhe inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë këtë punë në të tre dimensionet. Ne e vlerësojmë faktin që Prezenca kontribuoi për të mbështetur vazhdimin e reformave në drejtësi, administratë dhe zgjedhje, në përputhje me kërkesat specifike të parashtruara nga bashkëbiseduesit përkatës dhe nevojat institucionale të identifikuara”, thuhet në deklaratën e BE-së.
“BE njeh rolin e rëndësishëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në të gjitha fushat kryesore të reformave, përfshirë reformën në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës në përmirësimin e praktikës demokratike në Shqipëri duke vazhduar mbështetjen e saj për dekada të tëra për Kuvendin, si ndihma në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe në organizimin e konsultave publike, promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e komunikimit dhe transparencës”, vijon deklarata.
“Ne e vlerësojmë ndihmën e vazhdueshme të Prezencës në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht mbështetjen që i është dhënë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit (NCAC) në kryerjen e një vlerësimi të jashtëm afatmesëm të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit”, thuhet në raport.
“Bashkimi Europian vlerëson vëmendjen e vazhdueshme të Prezencës në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Ne gjithashtu vlerësojmë asistencën e vazhdueshme legjislative ofruar organeve vendimmarrëse për të siguruar një proces të ligjshëm, transparent, gjithëpërfshirës dhe të mirë-koordinuar në Shqipëri”, vijon raporti.
“Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Prezenca për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, selia e së cilës ndodhet në Tiranë. Ne e lavdërojmë OSBE-në dhe RYCO-n për bashkimin e forcave për të promovuar frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon dhe presim me padurim të shohim bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ne mirëpresim punën intensive të bërë në Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore dhe i bëjmë thirrje opozitës jashtë parlamentare të kontribuojë me propozime në këtë përpjekje vendimtare për reformën”, theksohet në raport.
“Për më tepër, ne inkurajojmë Prezencën të vazhdojë të punojë për një zgjidhje konsensuale që ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve të përfshira. Ne mirëpresim përpjekjet e Prezencës për të mbështetur Shqipërinë për të vazhduar partneritetet e saj me palët e interesuara ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftën kundër kërcënimeve ndërkufitare”, thuhet në raport.
“BE inkurajon Shqipërinë që të angazhohet plotësisht në luftën kundër të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore dhe mirëpret Planin Kombëtar të Veprimit, procedurat ligjore për të identifikuar fëmijët e përfshirë në shfrytëzim ekonomik dhe udhëzimet për inspektorët e punës për të zbuluar punën e fëmijëve, të gjitha të hartuara me mbështetjen teknike të Prezencës.
Ne e vlerësojmë trajnimin e 60 gjyqtarëve dhe prokurorëve për legjislacionin e ri antitrafik, dhe gjithashtu hartimin e procedurave të reja nga Prezenca dhe UNHCR për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm. Ne mbështesim plotësisht luftën e Shqipërisë kundër krimit mjedisor, vlerësojmë ndryshimet e bëra në Kodin Penal për kriminalizimin e veprimeve të paligjshme kundër shëndetit të njeriut dhe mjedisit, dhe përpjekjet për hartimin e ligjit mjedisor.
Bashkimi Europian vlerëson qasjen e përforcuar të Shqipërisë në adresimin e kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe kundërpërgjigjen ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Takimet në terren që synojnë krijimin e mekanizmave të referimit për të ndihmuar individët që janë më prekshëm nga radikalizimi, të mbajtura nga Qendra Kombëtare e Koordinimit për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me mbështetjen e Prezencës, janë mirëpritur ngrohtësisht nga BE.
Ne mirëpresim udhëheqjen dhe partneritetin e OSBE-së për lirinë e mediave dhe vlerësojmë kontribution e Prezencës në hartimin e dy projektligjeve për median dhe kundër shpifjes, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Kjo mbështetje për të përafruar legjislacionin e mediave me standardet ndërkombëtare është për t’u vlerësuar. Një legjislacioni i mirë për median mund të bëhet një model për të gjithë rajonin dhe më gjerë – dhe një sukses për Kryesinë që Shipëria pritet t’a marrë së shpejti. Reforma e sistemit të drejtësisë shqiptare mbetet thelbësore si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur angazhimet e saj ndaj OSBE-së dhe gjithashtu për të përafruar vendin me standardet europiane. Rezultatet që kemi parë këtë vit në procesin e vettingut janë inkurajuese. Themelimi i institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë në fund të vitit 2018 është një moment historik.
Kjo mund të kontribuojë në rifillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese e cila mbetet pa kuorumin e nevojshëm, si dhe në funksionimin e Gjykatës së Lartë e cila ende duhet të mbushet me një numër të caktuar të gjyqtarësh të cilët kanë kaluar vetingun.
Ne jemi të bindur që reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë transformuese edhe për fushat e tjera, përfshirë antikorrupsionin dhe luftën kundër kontrabandës dhe kultivimit të drogës, duke rritur besimin e shoqërisë në demokraci dhe praktikën demokratike. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës së OSBE-së në procesin e një reforme thelbësore të sektorit të drejtësisë dhe do të mirëpresim emërimin e shpejtë të gjyqtarëve të rinj.
BE inkurajon Shqipërinë të vazhdojë bashkëpunimin e saj të mirë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe të mbështesë përparimin e arritur deri tani.
BE mirëpret përpjekjet për krijimin e një bilanci të qëndrueshëm të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke marrë parasysh se çmontimi i grupeve të krimit të organizuar mbetet një sfidë e rëndësishme dhe një objektiv thelbësor afatgjatë.
Theksojmë rëndësinë e angazhimit actual dhe pozitiv të Shqipërisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, me qëllim sigurimin e rezultateve të prekshme në këtë fushë specifike.
BE rithekson nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikave antidiskriminuese, përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe mundësinë e përdorimit të të drejtave për personat që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë, dhe për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të ligji kornizë duke adresuar me akte nënligjore të gjitha çështjet e pazgjidhura, përfshirë të drejtën e vetëidentifikimit të lirë, si dhe nevojën për zbatim efikas të të drejtave pronësore.
BE vlerëson përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. BE mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, ndërsa vëren se dialogu i intensifikuar me vendet fqinje për të adresuar çështje të rëndësishme dypalëshe dhe për të siguruar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbetet thelbësor. Si përfundim, dëshirojmë të falënderojmë Ambasadorin Borchardt dhe stafin e tij për punën e tyre me cilësi të lartë dhe bashkëpunimin e tyre aktiv politik dhe operacional dhe u urojmë suksese në aktivitetet e tyre”, thuhet në deklaratën e BE-së, në përgjigje të raportit të paraqitur nga ambasadori Borchardt përpara Këshillit të Përhershëm. /atsh