Loading...

Basha pas takimit me FMN: Koha për reagim mbarëpopullor për të dalë nga kjo gjendje

“Tani ka ardhur koha për një reagim gjithëpopullor për ta ndalur këtë gjendje të rëndë ekonomike ku është futur vendi”, – tha sot kryetari i PD Lulzim Basha, në komunikimin me gazetarët pas takimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Basha tha se sapo kam mbaruar një takim të gjatë, thuajse shterues me përfaqësuesit e FMN në Uashington dhe për rajonin në Vjenë. Kemi ndarë me ta shqetësimin e thellë për krizën e tmerrshme ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin kjo qeveri me dështimet e saj. Shqetësimet tona të 1, 2, 3 viteve janë konfirmuar nga raportet e FMN-së dhe organizatave të tjera. Një nga problemet kryesore është çështja e qindra-milionë dollarëve, të cilat në vend që të shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë, apo për të hartuar politika që rrisin pagat, pensionet apo investimet publike që ndihmojnë ekonominë, përfundojnë në duart të 13 oligarkëve apo të ashtuquajtura koncesione, apo PPP, po që në fakt janë skema të pastra vjedhje”.

“Sot dhe me vitin ardhshëm, në qoftë se buxheti që kanë planifikuar do të kalojë përbën një vjedhje, një makutëri të hapur të qindra-miliona euro. Janë 146 milionë dollarë që planifikohen të jepen 13 njerëzve nesër për PPP dhe kjo do të çojë në thellim të krizës dhe rritje të mëtejshme të borxhit publik”, – tha ai.

Basha tha se rruga për të dalë nga kjo krizë ekonomike është e qartë.

“Lajmi i vetëm i mirë që ndamë me FMN është se opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike me ndihmën e partnerëve perëndimorë kanë një plan të qartë për ta ndalur këtë krizë ekonomike dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza, në planin tonë ekonomik që ka filluar të shpaloset edhe gjatë rrugëtimit tim nëpër Shqipëri. Ne do mund t’ja dalim që t’i ndalim menjëherë këto koncesione korruptive, të rikthejmë paratë e destinuara për 13 oligarkët tek qytetarët, tek universitetet, tek studentët, tek fermerët, tek biznesi i vogël dhe së dyti, do të arrijmë të kthejmë kushtet ligjore të barazisë para ligjit, të konkurrencës, të tregtisë të lirë dhe kushteve të favorshme për biznes duke hequr dhjetëra-qindra barriera të hapura e të fshehura, kurthe e gropa që i hapin biznesit, duke eliminuar bandat e inspektorëve tatimorë, një plan që do të mundësojë që biznesi ta ketë qeverinë në krah dhe jo si sot, kërcënimin kryesor të tyre”, – tha ai.

Më tej Basha shtoi se “me planin tonë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ne do t’i japim fund kësaj situate. Do vëmë nën kontroll borxhin publik që ka dalë jashtë kontrollit, do orientojmë paratë e shqiptarëve drejt dy burimeve kryesore, përmirësimit të fuqisë blerëse të shqiptarëve përmes pagës minimale prej 300 euro, përmes rritjes së pensioneve vit për vit, pra fuqizimit ekonomik të shqiptarëve, që do të thotë cilësi jete më e mirë për shqiptarët, përmes politikave sociale, siç janë politikat tona për arsimin e lartë, arsimin profesional dhe politikave të mbështetjes së të pamundurve, dhe blloku i dytë ka të bëjë me investimet publike që ndihmojnë ekonominë, jo fasada, jo buzëkuq elektoral”.

“Unë them se në tërësi, bashkëbisedimi me misionin e FMN-së që largohet nesër e konsideroj të frytshëm. Brenda mandatit të tyre, këmbanat kanë rënë, por e rëndësishme të kuptohet është se përtej konstatimeve të FMN-së, përtej konstatimeve tona prej shumë vitesh tashmë duket se kjo rrugë e vjedhjes dhe e grabitjes së pasurisë publike dhe vjedhjes së shqiptarëve këtu do të çonte. Tani ka ardhur koha për reagim mbarëpopullor”, – theksoi ai.

“E vetmja përgjigje që kam për këtë është të hapë veshët e të dëgjojë mirë se nga Shkodra në Vlorë, nga Tiranë në Korçë mesazhi është i qartë, largimi i kësaj qeverie dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme është ilaçi për këtë krizë të thellë të thellë politike që është arsyeja e krizës ekonomike dhe krizës sociale”, – theksoi Basha. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com