Loading...

Basha në gjykatë me akuzën për falsifikim dokumentesh

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për kreun e PD, Lulzim Basha, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e kësaj partisë Ilir Dervishi.

Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bën të ditur se ka mbyllur një ditë më parë hetimet duke dërguar dosjen në gjykatë, ndërsa e ka vënë në dijeni kreun e PD, për marrjen të pandehur me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve”, ndërsa ka pushuar akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Basha dhe dy zyrtarët e PD, do të shkojnë si të pandehur në gjykatën e Tiranës përballë Prokurorisë, në kuadër të dosjes numër 645 të vitit 2018. Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Prokurorët Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha sqarojnë në dokumentin e dorëzuar në gjykatë se për këtë çështje të merren të pandehur kryedemokrati Basha, ish-sekretari i i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani dhe financieri i kësaj partie, Ilir Dervishi me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Sipas prokurorisë, një rëndësi të posaçme ka patur dëshmia e Gazment Bardhit, sekretar i përgjithshëm i PD.

Gjatë fazës së mbledhjes së provave Lulzim Basha, Arben Ristani dhe ish-financieri i PD janë paraqitur dy herë në prokurori për të dhënë shpjegime./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com