Loading...

Basha: Gjermania, mbështetje pa kushte për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Lajpcig të Gjermanisë ku po merr pjesë në kongresin e CDU-së.

Basha thotë se ka patur rastin të takohet me disa nga figurat drejtuese të CDU-së, si dr. Johann Wadephul, dr. Gunther Krichbaum ndërsa sot pret të takohet me kryetaren e partisë dhe ministren e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer. Në fokus të bisedave sipas Bashës ka qenë integrimi europian i Shqipërisë.

“Kam falënderuar CDU-në gjermane për qëndrimin, për hapjen rrugë të mocionit të Bundestagut, planit me 9 pika dhe udhërrëfyesit për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Kam kërkuar vazhdimin e kësaj mbështetje, çka më është konfirmuar këtu nga të gjitha takimet që kam patur në Lajpcig me përfaqësuesit më të lartë të politikës gjermane në Berlin, por edhe me përfaqësuesit në Bruksel. Ata kanë ritheksuar mbështetjen pa kushte për Shqipërinë, për shqiptarët në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe për planin e Bundestagut dhe natyrisht mbështetjen për opozitën, për Partinë Demokratike, partinë e tyre simotër, për të cilën u kam shprehur mirënjohjen time më të thellë”. – thotë Basha nga Lajpcigu.

Kreu i PD shton se në fokus të takimeve të tij në Gjermani ka qenë edhe plani ekonomik i Partisë Demokratike.

“Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, në veçanti, përsa i përket investimeve gjermane në fushën e teknologjisë, investimeve gjermane në Shqipëri, ku ambicia jonë është që, përmes ofertës së qeverisë së ardhshme të demokratëve dhe fuqisë së kapitalit dhe inovacionit të fuqisë gjermane, edhe Shqipëria të përfitojë dhjetëra mijëra vende pune të sektorit të teknologjisë dhe informacionit”, – u shpreh Basha./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com