Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, në ditën e 75-vjetorit të çlirimit ka propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”. Gjatë fjalës së mbajtur sot, në një nga aktivitetet e shumta të organizuara në ditën e clirimit të Tiranës, Balla u shpreh se nderimi dhe respektimi i veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhësve të tyre qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike.
“Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, unë ndihem krenar që, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, kam propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore. Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve dhe jo si Shqipëria e kolaboracionistëve. Jam gjithashtu krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar shtesën në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre. Jam krenar që Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë e shpallën vitin 2019 si vitin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut dhe nderuan me krenari legjitime e dinjitet këtë ngjarje monumentale të historisë sonë kombëtare,” u shpreh Balla.
“Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve,” – u shpreh ai, duke shtuar se, “nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.”
“Edhe këto kohë, kur të gjithë festojmë me krenari të ligjshme 75-vjetorin e çlirimit, nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacionaclirimtare, këtë vepër monumentale të partizanëve shqiptarë, të Brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë partizane. Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Prandaj, zotërinj studjues, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët,” deklaroi Balla. /atsh