Loading...

Balla: Duhet folur troç, presidenti nuk ka hallin tek afati, por të dërgojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt

“Presidenti i Republikës bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç, sepse ai nuk ka hallin e afatit”, – deklaroi në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ku në seancën e sotme u zgjodhën me 105 vota pro, dy anëtarët e rinj të Gjykatës së re Kushtetuese.

Balla tha se “këtu duhet folur troç, jo me maska. Presidenti i Republikës ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër vetë sepse ka parë që e katërta e renditur është një person tek i cili ai ka besim. Presidenti i Republikës kërkon të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Enkelejd Alibeajt.

“Presidenti i Republikës nuk ka hallin e afatit kushtetues e as kriteret. Po u them të gjithë kolegëve deputetë se në aspektin kushtetues është kristal. Ky proces do t’i japë Shqipërisë Gjykatën Kushtetuese funksionale dhe është në nderin e detyrën e secilit prej deputetëve të kësaj sallë ta mbështesë. Ata që duan ta pengojnë reformën në drejtësi e kanë marrë përgjigjen”, theksoi Balla.

Sipas tij, “institucioni bazë për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është as Presidenti, as Kuvendi, as Gjykata e Lartë, por është vetëm Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në të cilin aplikojnë 700 veta dhe të sjell vetëm 3 kandidatura të rankuara. Ka dalë sot që në mëngjes Presidenti dhe thotë që Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur afatin dhe është me vonesë”.

“Presidenti i Republikës e ka të përcaktuar qartë që në fund të 30 ditëve institucioni bazë i emërimeve në drejtësi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi thotë: afati yt mbaroi, i pari i rankuar me pikë zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese”, – nënvizoi Balla në Kuvend.

“Thelbi i Reformës në Drejtësi ka qenë heqja dorë nga historia 28-vjeçare që politika zgjedh anëtarët e sistemit të drejtësisë. Për fat të mirë ja kemi hequr këtë të drejtë politikës në Gjykatën e Lartë por kemi lënë parimin check and balance (kontrollo dhe balanco) në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese. Tre anëtarë i zgjedh Presidenti, tre i zgjedh Kuvendi, tre i zgjedh Gjykata e Lartë. Po si? Këtë ja kemi lënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, theksoi ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com