Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja ka qenë pasditen e sotme shënjestër e një atentati. Policia e Durrësit njoftoi zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”.
Automjeti me targa AA 333 ZD më të cilin Ndoja udhëtonte i shoqëruar edhe nga dy persona, Aleksandër Laho 48 vjeç dhe Andi Maloku, 30 vjeç, është qëlluar me breshëri automatiku. Sipas policisë për pasojë janë plagosur plagosur prokurori Ndoja si dhe të dy personat që e shoqëronin. Sipas njoftimit zyrtar, Andi Maloku është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Ndoja dhe Laho ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën. Policia konfirmon se është vënë në ndjekje të autorëve, po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin janë ngritur pika kontrolli.
Siç raportojnë mediet personi që udhëtonte me prokurorin Ndoja në makinë, Aleksandër Laho, është një personazh problematik, i dyshuar për përfshirje ne aktivitete kriminale, që ka ndryshuar disa herë identitetin, dhe që dyshohet të jetë i përfshirë dhe në rrahjen që ju bë një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit. Ndërsa Andi Maloku ka qenë ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit.
Sikurse raportojnë mediet, Ndoja rezulton të jetë një figurë kontroverse me shumë dritëhije dhe përpara se të bëhej prokuror, ka ushtruar profesionin e avokatit ku ka mbrojtur emra të botës së errët të krimit. Një vit më parë, pohojnë mediet, Ndoja u përfol si personi që qëndronte pas rrahjes së avokatit Ilia Ilia, çështje për të cilën u nis hetimi, por ndaj prokurorit nuk u mor asnjë masë.
Gjithashtu emri i prokurorit Ndoja, u bë i njohur pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula të cilin gjykata e la në masë arresti me burg, dhe më pas u lirua nga Gjykata e Apelit që rrëzoi kërkesën e prokurorisë. Lidhur me këtë rast kanë reaguar kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Braçe.
Braçe e konsideroi një presion kriminal mbi drejtuesin e Kadastrës në Durrës për shkak se “ai nuk ka pranuar të legalizojë pallate monstrueze që duhet të legalizohen dhe të regjistrohen në këtë qytet” por “ pavarësisht shantazhit në të cilin ka qenë, ka refuzuar të bëhet pjesë e këtyre veprimeve kriminale”. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se “fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm, por shumë të rendë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans të kalojnë vettingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që ju jep ligji me moton “të kapim çfarë të kapim”./atsh