Loading...

As zhbllokuesi i banjove nuk na bën dot derman, pa ardhur ata të kanalizimeve, pra ndërkombëtarët

HEROI I MOMENTIT

Sot, nëse ke dy lekë mënjanë për ditë të këqia dhe njeh mjaftueshëm njerëz, mund të gjesh dhe të marrësh shërbimin e cilitdo profesionisti! Edhe nëse nuk e ke në rubrikën e telefonit, të mjaftojnë dy-tri telefonata dhe mund të gjesh deri edhe më të mirin e specialitetit të vet! Ka probleme që presin, por ka halle për të cilat profesionisti të duhet aty, në atë moment! Një gjë është të të duhet një arredues shtëpie; me të mund ta lësh takimin të martën ose të shtunën, ose pas dy javësh, por kur të plasin ujrat, gjinekologu duhet të jetë gati dhe i përqëndruar në aq pak kohë sa të bën rruga deri për tek ai…!
E solla tek plasja e ujrave, sepse ekziston një situatë me një emër të tillë ku obstetër-gjinekologu nuk të bën punë; të duhet një tjetër lloj specialisti, i cili nuk e ka fatin të ketë një emërtim të latinishtes së vjetër për titull, por e thërrasin me emrin foljor të punës që kryen. Pa dashur t’ju nervozoj me zgjatje që vonojnë kënaqësinë ankthioze të fundimit të kureshtisë, (e shkrova me ndërgjegje këtë dhe ju betohem që ka kuptim, edhe nëse pas rileximit të dytë nuk bindeni) po i bie shkurt: mu bllokua haleja dhe filluan të dalin në rrugë jo natyrale, pra nga poshtë-lart, mukubete të patregueshme por të vetëkuptueshme!
Pa pritur të mbledh veten, kapa telefonin dhe kërkova dikë që mund të njihte dikë që mund të njihte ndonjë ZHBLLOKUES BANJOSH! Duke kërkuar ethshëm, kuptova se në telefon kisha ruajtur qindra numra personash që nuk i duhen as dreqit, që nuk i kisha telefonuar kurrë… ndala tek një mik, të cilin e telefonoj gjithnjë kur kam kësi hallesh banale. Është një multimilioner, por e ka pasion zgjidhjen e problemeve banale që kanë njerëzit. Herën e fundit më ndihmoi të gjej një tub gize me diametër 38 cm. Ai e di se ku e gjeti, por ma sollën aty ku më duhej. Nëse jeni kuriozë të dini për çfarë më hynte në punë një tub gize 38 cm, i përkisni kategorisë së personave që vuajnë nga kurioziteti i sëmurë por nuk e pranojnë… Ju premtova që nuk do zgjatem dhe po e mbaj. Zhbllokuesi i banjove më erdhi në derë (hapur dera!) njëzet minuta pas telefonatës dhe dhjetë minuta përpara sesa tëkishtemarrëmutishalët! Kur e pashë tek dera, mu duk si një Mesi, si një Profet… ç’tju them… isha gati ta përqafoja dhe ti zgjasja një çek të bardhë, sepse nuk ishte hall dosido… ishte hall muti! Aty për aty më erdhi në kokë një krahasim, Shqipëria e momentit është shumë e ngjashme me banjon time të momentit dhe ai për të cilin paska nevojë ky vend, nuk qenka një LIDER i gjithëditur dhe karizmatik, por NJË ZHBLLOKUES BANJOSH, një hero i momentit!
Unë i përhumba disa sekonda me këtë mendim, kurse ai jo; ai befti në tualet për të vlerësuar gjendjen! I nguliti sytë diku dhe nuk foli për disa minuta. Ndërkohë të pëgëra të reja gëlonin dhe prezantoheshin me mua në tualetin tim. Ai mendohej kurse mua më kaloi filmi i jetës përpara syve, nën aromën si të një salle kinemaje ushtarësh që lëshonin lirshëm gazrat e menusë së tyre fikse me fasule…
“Nuk bëhet, tha! Duhet të vijnë ata të kanalizimeve të hapin pusetën poshtë, po sot nuk ke njeri se është e Diel!” Kaq tha dhe iku aq shpejt, sa nuk pata kohë t’i bëj asnjë pyetje.

Mallkova veten që për një çast guxova të krahasoj situatën e tualetit tim me situatën e vendit tonë… në kuptimin që as zhbllokuesi i banjove nuk na bën dot derman, pa ardhur ata të kanalizimeve, pra ndërkombëtarët…!

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com