Loading...

AKU paralajmëron tolerancë zero për bizneset që shkelin sigurinë ushqimore gjatë festave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit paralajmëron tolerancë zero për të gjitha bizneset që shkelin sigurinë ushqimore, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, periudhë në të cilën abuzimet rriten ndjeshëm.

Kreu i këtij institucioni, Robert Lili tha se AKU ka marrë masa për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

“Kjo fushatë do të shtrihet në të gjithë vendin, tek të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, kryesisht atyre me shumicë dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve ushqimore. Sektorët më problematikë janë importuesit e mëdhenj të ushqimeve dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore”, – deklaroi Lili.

Sa i përket shqetësimit të ngritur për përdorimin e vajit të palmës, kreu i AKU-së tha se produkti nuk është i ndaluar, por bizneset që e përdorin duhet ta bëjnë të ditur prezencën e tij në etiketë.

“Ajo qe ne kemi kërkuar është se të gjitha subjektet që e përdorin dhe e tregtojnë në industrinë përpunuese ushqimore duhet të bëjnë prezent përmbajtjen e tij në etiketat e prodhimit”, – vijoi Lili.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer rreth 82 mijë inspektime nga janari deri në tetor të këtij viti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com