Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të zbatimit të planit vjetor, indicieve të ardhura dhe bashkëpunimit me qytetarët , vijon veprimtarinë monitoruese në të gjithë zinxhirin ushqimor me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve si dhe mbajtjes pastër të tregut nga produkte të pasigurta për konsum.
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Tiranë gjatë javës së shkuar ka kryer 161 kontrolle në përfundim të të cilave janë marrë disa masa administrative por dhe janë ndërprerë aktivitetet e dy subjekteve si dhe ka bllokuar dhe asgjësuar sasi produktesh të importuara në mënyrë të paligjshme apo të pasigurta për konsumatorët.
Konkretisht, janë kryer 161 kontrolle zyrtare tek operatorët e biznesit ushqimor me origjinë shtazore, joshtazore dhe produktet e mbrojtjes së bimëve, në të cilat janë marrë 15 mostra për kryerjen e analizave laboratorike.
AKU ka vendosur 7 masa administrative “gjobë” me vlerë 1.800.000 lekë në total, ndërsa janë vendosur edhe 59 masa administrative “Paralajmërim” si dhe është lënë detyra e korrigjimit të mangësive të konstatuara gjatë kontrolleve të kryera.
Nga ana e AKU gjatë kësaj jave është marrë masa e “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” për 2 subjekte, si dhe është vendosur masa administrative “Bllokim Produkti” për 33.1 ton produkte ushqimore (pije freskuese, pije alkoolike, produkte të ndryshme ushqimore si dhe mish). Ndërkaq, janë asgjësuar 18.69 ton produkte ushqimore të konstatuara të pasigurta për konsum. /atsh