Loading...

17 nëntori- Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, 17 Nëntori, konsiderohet si një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj problemeve dhe dhimbjeve që ajo shkakton.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shprehet se lindje e parakohshme e bebit, konsiderohet lindja përpara javës së 37-të të shtatëzënisë, pavarësisht peshës së tij.

Slogani i këtij viti “Të lindësh para kohe, të marrësh kujdesin e duhur, në kohën dhe vendin e duhur”, vjen si mesazh gjithëpërfshirës për politikëbërësit, ofruesit e kujdesit shëndetësor, prindërit, familjen etj; për një partneritet në kujdesin ndaj këtyre foshnjave, përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me sfidat që u duhet të përballen familjet e këtyre foshnjave si dhe mundësi për të folur lidhur me zgjidhjet e mundshme.

Për parandalimin e lindjes së parakohshme është e rëndësishme që gjatë shtatëzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm, bazuar në një dietë ushqimore të pasur dhe duke ndjekur në mënyrë të rregullt rekomandimet e mjekut.Lindja e parakohshme (shkaktari kryesor i vdekshmërisë tek të porsalindurit), mund të shkaktojë probleme shëndetësore kronike të mushkërive, vonesa në zhvillim dhe paralizë cerebrale.

Faktorët mjekësorë dhe stili i jetesës, ndikojnë në lindjet e parakohshme.

Zakonisht gratë që kanë shtatëzëni me binjakë ose që pritet të sjellin në jetë më shumë se 2 fëmijë, si edhe ato që vuajnë nga ndonjë patologji kronike (si p.sh. hipertension ose diabet), janë më të rrezikuarat për të lindur fëmijë para kohe.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo vit në shkallë globale lindin para kohe rreth 15 milionë foshnja.

Për fat të keq, komplikimet prej lindjes së parakohshme, janë ndër shkaqet kryesore të vdekjes së foshnjave në pesë vitet e para të jetës.

Statistikat tregojnë se shifrat e lindjeve të parakohshme kanë pësuar rritje. Ekspertët deklarojnë se kjo vjen si pasojë e shtimit të përdorimit të trajtimeve për fertilitetin apo trendit të shtatzënive të mëvonshme. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com