Loading...

Viti i ri akademik, Shahini fton studentët: Të vijojmë komunikimin për rritjen e cilësisë së Arsimit të Lartë

Studentët kanë një rol të madh në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

Në ceremoninë që u mbajt sot në Fakultetin e Mjekësisë, në kuadër të hapjes së vitit të ri akademik 2019-2020, ministrja Besa Shahini ftoi studentët të vijojnë komunikimin me ministrinë e Arsimit, me qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

“Ju jeni gjenerata e parë pas protestës së mbajtur nga studentët në muajin dhjetor të vitit 2018,e cila na dha një shtytje të fortë të çojmë përpara nisma për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe jetesës së studentëve”, deklaroi Shahini.

Duke u ndalur në disa nga politikat e qeverisë për mbështetjen e studentëve, ministrja informoi se studentët ekselentë do të përfitojnë nga politika për përjashtim të tarifave si dhe përfitim të bursave.

“Kemi bërë investim në konvikte, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Kemi ndarë një grant për të furnizuar laboratorët në të gjithë vendin”, tha më tej, ministrja.

Ajo solli në vëmendjen e studentëve edhe bibliotekën dixhitale, e cila është në dispozicion të studentëve e që ofron me miliona artikuj shkencorë, libra akademik, etj. Këto, sipas saj, do t’u vijnë në ndihmë studentëve për detyrat e kursit apo temat e diplomave.

Po ashtu, një tjetër politikë për lehtësimin e jetës së studentëve, sipas ministres Shahini është edhe karta e studentit, e cila bëri të ditur ajo, po aplikohet jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha universitetet publike.

Ministrja informoi se në bazë të një sondazhi kombëtar të zhvilluar, ka rezultuar se stafi pedagogjik është në rregull, por kushtet në universitete nuk plotësojnë standardet e nevojshme.

“Duhet edhe angazhimi juaj. Ftesa ime është të vijojmë dialogun për të çuar përpara nivelin e komunikimit dhe arsimit të lartë”, deklaroi Shahini./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com