Për herë të parë pas afro 10 vitesh bjerrjeje të studentëve në universitetet e rretheve, e sidomos në jug të vendit, në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër janë regjistruar këtë vit të ri akademik 500 studentë të rinj.
Një nga arsyet e rritjes së interesit të të rinjve për këtë universitet është dhe hapja një vit më parë e Fakultetit të Ekonomisë, degët e të cilit, së bashku me Infermierinë numërojnë edhe numrin më të lartë të studentëve.
Sipas Rektorit të këtij Universiteti Bektash Mema, numër më të lartë regjistrimesh kanë edhe programet master me një shifër regjistrimesh plot 300 studentë më shumë se një vit më parë. Por rektori Mema shprehet se programet e mësuesisë janë ato që anë pësuar rënien më të madhe të numrit të studentëve të regjistruar, kjo edhe si pasojë e rritjes së mesatares në këto programe.
“Ajo që është problem jo vetëm në Universitetin e Gjirokastrës por në të gjitha universitetet shqiptare që kanë programet e mësuesisë, janë prurjet e kufizuara,” shprehet ai. Rreth 1500 është numri total i studentëve që do të vijojnë studimet këtë vit në Universitetin “Eqrem Çabej”. /atsh