Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Shqipërisë vjen për publikun kryeqytetas përmes ekspozitës fotografike “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Shqipërisë” në Muzeun Historik Kombëtar.
Ky projekt nga qendra DMO ALBANIA në bashkëpunim me ministrinë e Kulturës dhe bashkinë e Tiranës synon të promovojë Shqipërinë, dhe të edukojë rininë me artin e bukur të fotografisë.
Fotografitë e pasqyruara në këtë ekspozitë janë rreth 100 foto të përzgjedhura të konkursit fotografik të hapur për 3 muaj rresht gjatë periudhës maj-qershor 2019.
Ky aktivitet përveç faktit që ndihmon në promovimin e vendit tonë, gjithashtu inkurajon dhe motivon të rinjtë që ta duan vendin e tyre dhe mbi të gjitha, ta promovojnë atë. Ndër vite ky ka qenë dhe është edhe qëllimi kryesor i Muzeut Historik Kombëtar të promovojë vlerat historike dhe kulturore të Shqipërisë.
Andi Seferi, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, përshëndeti hapjen e këtij festivali fotografik.
“Jam i gëzuar për këtë pjesëmarrje masive dhe për rritjen e cilësisë së fotove gjatë këtyre dy sezoneve. Kjo bën të mundur promovimin e Tiranës dhe Shqipërisë në mënyrë akoma më dinjitoze dhe profesionale”, tha Seferi.
Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, tha se ështe kënaqësi e veçantë që për herë të dytë mbahet ky aktivitet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Të fotografosh domethënë të ngrish një moment, një çast në këtë realitet ku ne jetojmë.
Ekspozita fotografike “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Shqipërisë” do qëndroj e hapur për publikun në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar deri më 15 tetor./atsh