Në muajin e librit, një botim i ri i shtohet letërsisë shqipe për fëmijë dhe bibliotekave të fëmijëve. Është “Supa Magjike e Dragoit” një përrallë dygjuhëshe në vargje.
Në shqip dhe në anglisht vjen historia e tre dragojve të vegjël të cilët mësojnë si të hanë shëndetshëm kur takojnë një dragua, kuzhinier me famë, i cili gatuan një supë me perime dhe me një përbërës magjik.
Përralla në vargje është shkruar në anglisht nga Stela Gega – Mçonaghy për t’u sjellë më pas në shqip nga Matilda Vangjeli. Me situata me humor dhe imagjinatë, përralla është ilustruar bukur nga Ledia Kostandini dhe është redaktuar nga shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi.
Në një botim cilësor kjo prurje e re e letërsisë shqipe për fëmijë vjen për lexuesit e vegjël si një argëtim ndërsa për prindërit e tyre si një ndihmë për t’i mësuar fëmijët që të duan perimet.
Ashtu si ka ndodhur edhe Stela Gega-Mçonaghy e cila është frymëzuar për këtë përrallë teksa mundohej ta mësonte djalin e saj trevjeçar që të hante perimet. Libri rekomandohet për fëmijë mbi 4 vjeç. //atsh