“Mazhoranca është e interesuar që opozita të ulet në tryezën për reformën zgjedhore dhe të diskutojë mbi çdo platformë që ka të bëjë me rregullat e lojës dhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, deklaroi mbrëmjen e sotme ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Gjatë një interviste televizive, e pyetur lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Lulzim Basha i cili tha sot se kryeministri Rama ka në tryezë planin e opozitës për reformën zgjedhore duke kërkuar që të zbatohet, Spiropali tha se këto janë shantazhe që mund të bëhen në kopësht, por jo në mjedisin politik.
Ajo tha se “ ne kemi qenë të gatshëm që të ulemi në tryezë me opozitën jashtë parlamentare edhe pse një opozitë që ka dorëzuar mandatet, nuk ka marrë pjesë në zgjedhje i është ofruar një vend në tryezën e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Kanë vendin e tyre, kanë edhe veto madje, por opozita parlamentare është aty sepse i takon me ligj që të jetë në atë tryezë, por është bërë edhe vendi për ta”.
“Po ne nuk mbajmë përgjegjësi për takime apo tryeza të organizuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë në bashkëpunim me ne, ku përfaqësuesit e opozitës ngrihen dhe ikin. Lexojnë trakte politike, deklarata që mund të bëheshin fare mirë nga zyrat e partive, i diskutojnë në këto tryeza ku duhet të diskutohen zgjidhje, të jepen opinione. Kemi një draft të plotë të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR,jemi të gatshëm që atë ta kthejmë në ligj, ekzaktësisht siç i ka rekomanduar OSBE/ODIHR dhe madje kemi shkuar edhe më tej dhe kemi thënë, sillni ju propozimet tuaja dhe ne jemi të gatshëm t’i votojmë, por ne nuk mund të presim kënd dhe të zvarrisim një proces të tërë i cili është i lidhur ngushtësisht edhe më rrugën tonë të integrimit europian”, deklaroi Spiropali.
“Askush nuk na vendos dot kusht dhe kushtet nuk mund të jenë arsye për të penguar procesin”, nënvizoi Spiropali, duke shtuar se “do të ishte mirë që opozita jashtë parlamentare të bjerë dakord me rekomandimet e OSBE/ODIHR se aty nuk ka as çudira as surpriza, janë e zeza mbi të bardhë, por për çështje që shkojnë përtej nesh, nuk kemi asnjë kompleks jemi të hapur t’i diskutojmë në tryezë”.
Përsa i përket deklaratës së Bashës, ministrja thekson se “mund t’i besosh dhe të marrësh seriozisht një njeri i cili kur ka vënë ultimatume më parë i kanë ecur dhe thua po, ky është një njeri që i qëndron fjalës dhe ka një plan. Po një njeri që ka thënë se zgjedhjet me 30 qershor nuk do të bëhen se jemi ne këtu dhe zgjedhjet u bënë, një person që ka thënë se këtu do të ketë revolucion nëse Edi Rama nuk ikën dhe ja ku është Edi Rama, një njeri që ka kaluar nga Rama ik te Gjiknuri ik dhe gjithë kohën është duke ndryshuar strategjinë e tij elektorale. Më vjen keq po këto shantazhe mund të bëhen në kopësht, por nuk bëhen në mjedisin tonë politik sepse e para nuk mund të zgjedhësh dot tryezën ku je, e dyta nuk zgjedh dot kundërshtarët, kryeministri të ikë, ai tjetri të ikë, këta të gjithë të ikin se do të vijmë ne”, theksoi ministrja.
“Do të vish po, por në bazë të rregullave, me votë kur njerëzit të besojnë. Këta janë katandisur në pikën ku nuk ke më ku ti kapësh. A duam ne që këta të vinë në tryezë? Patjetër. Jemi shumë të gatshëm, çdo platformë që këta ta prezantojnë që ka të bëjë me rregullat e lojës, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe atë që ne e bashkëndajmë ne jemi të gatshëm ti dëgjojmë dhe ti kthejmë në ligje. Ama, shantazhe të tilla nuk bëjnë dot. Edhe vetë e kanë kuptuar se vëmë re se opozita jashtëparlamentare po merr një kthesë”, tha ajo.
Ministrja riktheksoi se “mazhoranca është e gatshme të ulet në çdo tryezë për të diskutuar, por jo për të bërë pazare me opozitën”
“Ne të gjithë si faktorë politik duhet të jemi në një mendje dhe në një drejtim për këtë proces. Të kemi interesin kombëtar të parin pastaj analizat partiake. Ne jemi të gatshëm të ulemi në çdo tryezë, të diskutojmë, të mos bëjmë deklarata politike por të gjejmë zgjidhje, ama brenda Kushtetutës dhe ligjshmërisë dhe aspak jashtë kornizave. Nuk duam dhe nuk do të bëjmë pazar me ta. Për ne nuk ka kthim pas në Reformën në Drejtësi, që ka qenë një nga kërkesat e artikuluara nga Basha. E vetmja gjë që mund të bëjmë është reforma zgjedhore dhe këtë duam ta bëjmë bashkarisht. Më tolerancë dhe konsensus se kaq nuk besoj se ka ushtruar ndonjë qeveri më parë”, tha ministrja Spiropali./atsh