Luigi Soreca, ambasadori i BE-së, në një intervistë për gazetarin Carlo Bolino foli për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duke thënë se ndihet i zhgënjyer.
“Më lejoni të them që në nivel personal edhe unë jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer për arsye sepse kam punuar shumë, kam punuar fort për Shqipërinë, jo vetëm në të shkuarën, si p.sh. për liberalizimin e vizave dhe jam krenar që kam pasur mundësinë që ky hap i rëndësishëm të arrihej dhe të përfundoja edhe unë punën time në këtë aspekt”, – u shpreh Soreca.
Ambasadori vijon duke thënë se, “tani jemi në një moment të rëndësishëm, në një fazë të rëndësishme dhe më lejoni që me pak fjalë të shpjegoj pra, që kemi pasur liderët, udhëheqësit evropianë që kanë diskutuar për rreth 5 orë, në një ditë kur agjenda e tyre ishte plot me çështje të rëndësishme, si p.sh. Brexit-i, apo ndryshimet klimatike. Pra, për 5 orë ata kanë diskutuar çështjen e zgjerimit dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo tregon qartë se sa e rëndësishme është kjo çështje për BE-në dhe natyrisht, edhe për këto dy shtete, të cilat janë shtete shumë të rëndësishme për BE-në dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla”.
Sipas tij, “ribashkimi i Shqipërisë me familjen evropiane është në interesin e përbashkët, si të Shqipërisë ashtu edhe të Bashkimit Evropian dhe kjo është përsëritur ngaherë nga udhëheqësit evropianë, që anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në interes, në fakt, edhe të Bashkimit Evropian, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për arsye të stabilitetit, të sigurisë, por edhe për arsye gjeopolitike. Shqipëria i përket Bashkimit Evropian, i përket familjes evropiane dhe duhet të hyjë në shtëpinë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi kjo gjë do të sjellë më shumë stabilitet, më shumë siguri, më shumë begati ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për BE-në. Shqipëria është pjesë jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e Evropës dhe duhet të bëhet shtet anëtar i BE-së” –thekson Soreca. /atsh