Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i krahasoi sot gjyqtarët me mjekët. Ata, tha ai, “ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”.
Duke folur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të rinj të shkollës së Magjistraturës ai ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar. Ai uroi 25 magjistratët e rinj nga Shkolla Shqiptare e Magjistraturës që morën diplomën e tyre sot.
“Diplomimi juaj është i rëndësishëm sot më shumë se kurrë. Ju përfaqësoni shpresën e ardhshme të sistemit të drejtësisë dhe pritshmëritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne flasim shumë për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë, dhe këto janë me rëndësi thelbësore, por ajo që me të vërtetë ka rëndësi dhe që do të vihet vazhdimisht në provë është integriteti juaj personal. Zgjedhjet që do të duhet të bëni kur të jeni nën presion, dhe të jeni të sigurt se do të ketë presion, ato do të jenë më të vështirat në shërbimin tuaj ndaj drejtësisë”, – tha Soreca.
“Kam pasur fatin në jetë të frymëzohem nga magjistratë të mëdhenj. Individë që nuk kishin frikë nga asgjë, përveç një gjëje: se nuk do të arrinin t’i shërbenin drejtësisë! Ata frymëzuan brezat e ardhshëm, ata e bënë një komb krenar. Tani ju e keni atë detyrë, të frymëzoni brezat e ardhshëm dhe ta bëni një komb krenar dhe besimplotë në sistemin e drejtësisë. Unë, personalisht, besoj se kjo ndjenjë është motivimi më i madh me të cilin mund të punohet dhe patjetër që ka shpërblimin më të madh që mund të ëndërrosh”, – u shpreh ai.
“Urime shkollës, profesorëve të drejtësisë dhe të gjithë kolegëve tuaj më të vjetër për ndihmën, mësimdhënien dhe mbështetjen që ju kanë dhënë gjatë studimeve. Të mësuarit për një magjistrat nuk mbaron kurrë dhe ju e dini më mirë se unë, por ju e kaluat me sukses provimin e hyrjes dhe të gjitha provimet e tjera që mund të ofrojë kjo shkollë. Ne në BE jemi do të mbështesim të mësuarit tuaj të vazhdueshëm, përmes projekteve, trajnimeve dhe ekspertizës sonë ligjore. Ekzistojnë disa instrumente në nivel evropian nga të cilat mund të mësoni dhe të shkëmbeni eksperiencat me kolegë të tjerë në sistem. Shfrytëzojini ato”, – theksoi ambasadori Soreca.
“Një herë, një koleg gjyqtar më tha: “Gjyqtarët janë si mjekët. Ata ose shpëtojnë jetë ose i shkatërrojnë ato nëse janë të paaftë dhe të papërgjegjshëm”. Nuk ka asgjë më të keqe dhe më shkatërrimtare për shpirtin sesa padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Pra, ndërsa jeni krenarë sot dhe me të drejtë, ju keni edhe një përgjegjësi të re të madhe për nesër. Krenohuni me arritjet tuaja dhe shërbeni me përulësi nesër. Paçi të gjithë një karrierë të shkëlqyer përpara! Gjithashtu, një urim i madh për familjet, partnerët apo miqtë tuaj që janë sot këtu dhe janë po aq krenarë për ju!” – tha Soreca./atsh