“Fuqizmi i grave dhe vajzave është gjëja e duhur dhe e zgjuar që duhet bërë. Duhet të bëjmë që gratë dhe vajzat të marrin pjesë në të gjitha sferat e shoqërisë, politikës, ekonomisë”, deklaroi sot, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Lugi Soreca.
Duke folur në Forumin Rajonal: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, Soreca tha se, “dhuna me bazë gjinore është një nga modelet më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut. Është një fenomen që prek gratë dhe vajzat të çfarëdo formimi apo statusi social”.
“Dhuna me bazë gjinore përbën një shqetësim të rëndë në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, ashtu sikurse është dhe në BE dhe në pjesën tjetër të botës. Prandaj edhe barazia mes grave dhe burrave është një nga parimet themelore të legjislacionit të BE-së dhe të politikës së jashtme të BE-së”.
“Sondazhi i vitit 2019 i OSBE për dhunën ndaj grave tregoi se 7 ndër 10 gra kanë përjetuar një lloj forme të dhunës, apo abuzimit gjatë jetës së tyre qoftë nga duart e një partneri apo jo partneri”, tha ai.
“Pasojat e dhunës me bazë gjinore janë shkatërruese. Ato cenojnë shëndetin, sigurinë, dinjitetin, dhe lirinë e grave dhe vajzave. Dhe megjithatë ato mbeten prapë së prapë në heshtje duke qenë se dhuna është ende jo aq e raportuar sa duhet dhe ankesat nuk regjistrohen në mënyrë sistematike”, u shpreh Soreca.
Soreca tha se, “në Shqipëri 300 ofrues shërbimesh janë trajnuar për të ofruar shërbime për viktimat e të gjitha formave ndaj dhunës ndaj grave. Këtu përfshihen punonjës të policisë, ofrues të shërbimeve shëndetësore, staf që ofron shërbime sociale etj”.
Soreca vlerësoi përpjekjet e shteteve pjesëmarrëse për zbatimin e Konventës së Stambollit që është instrumenti më i rëndësishëm në luftën kundër dhunës ndaj grave./atsh