Ferma agroturistike “Pema e Jetës” 25 km larg kryeqytetit, ofron modelin unik të investimit në agroturizëm falë pasionit të sipërmarrësve dhe mbështetjes financiare nga Skema Kombëtare e AZHBR-së.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në ERTV, pamjet e sipërmarrjes “Pema e Jetës” në Durrës, ku integrohen në një, ferma blegtorale, serrat e fruta perimeve, njësitë e përpunimit të prodhimeve bujqësore, blegtorale e agroushqimore, natyra dhe njësia e restorantit.
Në plantacionet me pemëtore në “Pemën e Jetës” janë mbjell 800 rrënjë pemë frutore të të gjitha llojeve autoktone dhe 2000 rrënjë fruta pylli që nuk njiheshin më parë në Shqipëri.
Në intervistë nga mjediset e fermës për ERTV, drejtorja e AZHBR, Frida Krifca bëri me dije mbështetjen financiare që jepet për sipërmarrje në agroturizëm nga buxheti i shtetit.
“Kjo sipërmarrje që ka përfituar nga skemat e AZHBR-së është mbështetur për instalimin e një kapanoni pikë grumbullimi për fruta perimet. Subjekti ka mbjellë dhe grumbullon fruta perime dhe është një model që ka integruar fermën blegtorale, serrën”, tha Krifca duke shtuar se “plani i biznesit të këtij subjekti është shumë ambicioz pasi do të zgjerohet më tej me dhoma akomoduese”.
Krifca u shpreh se “ne kemi firmosur një kontratë me subjektin edhe për përpunimin e fruta perimeve, për tharjen përpunimin e reçelërave, produkteve që mund të blihen nga vizitorët”.
Një nga të veçantat e kësaj ferme është mbjellja dhe përpunimi më pas në salcra të ndryshme i manava goxhi, një frut i rrallë për Europën, por shumë popullor në SHBA dhe Kinë (ku njihet me emrin goji-berry).
Dorart Bujari, djali i kësaj familje sipërmarrëse i cili pas studimeve në Angli vendosi t’i përkushtohej agroturizmit në tokën e tij, tregon për ERTV zgjerimin e këtij aktiviteti.
Ai prezantoi punën që po bëhet me ndërtimin e dhomave akomoduese pranë fermës si dhe me ngritjen e dhomave të posaçme për përpunimin e produkteve bujqësore, reçelërave, salcave, kompostove dhe përgatitjen e tyre për t’i eksportuar jashtë vendit./atsh