Vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të merret në mbledhjen e Këshillit Europian në 17-18 tetor, në Bruksel, nga krerët e shteteve të vendeve anëtare në BE.
Kështu deklaruan në një konferencë të përbashkët për shtyp Tytti Tuppurainen, ministrja e Finlandës për Çështjet Europiane si dhe Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn në përfundim të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së zhvilluar sot në Luksemburg.
Ata theksuan se nuk arritën sot në një marrëveshje unanime për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Tuppurainen u shpreh optimiste se një marrëveshje do të arrihet në mbledhjen e së premtes së Këshillit Europian.
Ndërsa, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn tha se shumica e vendeve janë shprehur pro hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Hahn u ka kërkuar falje qytetarëve shqiptarë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut që nuk arritën që të bindnin vendet anëtare.
“I kërkoj falje qytetarëve të dy vendeve që nuk arritëm të binim dakord. Procesi është i bazuar në merita dhe këto dy vende i kanë realizuar kërkesat. Unë kam bërë maksimumin tim, por kam besim se do të kemi sukses në fund. 25 shtete janë në favor të hapjes së negociatave”.
Ai tha se “na duhet një sinjal politik për të dhënë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve. Duhet të nisin përgatitjet për hapjen e bisedimeve për kapitujt e parë që janë ato të sundimit të ligjit”.
Hahn theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet. “Ishin kushte të qarta dhe sipas nesh janë përmbushur. Por vendimi final përfshin edhe elementë politikë, që nuk janë pjesë teknike”, tha ai./atsh