Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha sot para nisjes së ditës së dytë të samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, se vendimmarrja ka qenë një gabim historik.
“Shkoi keq. E thashë tek kolegët e mi, ky është një takim me historinë. Në vitet 1400 ato territore dhe komunitete ranë nën Perandorinë Otomane, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore ranë nën regjimin komunist, nën bllokun komunist. Kanë një jetë që duan të hyjnë në Europë. Janë aspiratat e tyre për të hyrë në Europë. Dita e djeshme, në 2019, do të kujtohet si një takim dhe gabim historik”, theksoi ai.
“Dhe për këtë më vjen shumë keq. U mundova t’i bind të gjithë që kjo shpresë, mbi të gjitha këto komunitete kanë mazhoranca myslimane dhe kanë një formacion kulturor europian. Është një forcë e madhe kjo. Duhej patjetër të hapnim negociatat, nuk bëhej fjalë të vendosnim për hyrjen ose jo të këtyre vendeve, por për të nisur negociatat për hyrjen në BE”, tha ai.
Conte shtoi se është shumë i keqardhur dhe ndodhet pranë komunitetit shqiptar dhe Maqedonisë së Veriut.
“Kanë bërë sakrifica të mëdha. Europa, Komisioni, të gjithë ne kemi qenë promotorë të një projekti reformimi”, tha Conte.
“Shpresoj që ky vendim të mos i demoralizojë ata dhe të vazhdojnë rrugëtimin. Italia do të jetë gjithmonë në krah të tyre dhe do t’i mbrojë gjithmonë”, përfundoi kryeministri italian. /atsh