Shqipëria meriton hapjen e negociatave për anëtarësim dhe Austria është një prej shteteve që po e ndihmon Shqipërinë që këtë vlerësim teknik të komisionit ta përkthejë në një vendim pozitiv politik të Këshillit Europian javën e ardhshme.
Kështu deklaroi sot Ministri në Detyrë për Europën dhe punët e Jashtme, Gent Cakaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin Federal për Europën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.
“Me ministrin Schallenberg diskutuam hollësisht për mbështetjen që Austria do ti japë Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe po ashtu diskutuam për format e ndryshme të asistencës teknike të shtetit austriak për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të përballuar presionin dhe sifdat që vijnë nga ky proces”, – nënvizoi Cakaj.
Ministri Cakaj u shpreh se “Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim duke pasur parasysh që në konkluzionet e Këshillit të vitit 2018 Shqipëria ka qenë e detyruar të performojë në tre kushte për të hapur negociatat sot u dakorduam me homologun austriak se të gjitha detyrat e shtëpisë janë përmbushur”.
Sipas tij, njëkohësisht ka vazhduar me sukses procesi i Vetingut.
“Ka vazhduar sipas përcaktimeve kohore ngritja e trupave të reja të gjyqësorit dhe ka vazhduar përmirësimi i historikut të qëndrueshëm të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – theksoi Cakaj.
Cakaj u shpreh se “Shqipëria dhe Austria kanë raporte të shkëlqyera diplomatike dhe politike, të cilat datojnë që nga themelimi i shtetit shqiptar dhe janë të mbështetura në një traditë të veçnatë , histori të pasur në interesa institucionale që janë në rritje e sipër dhe natyrisht të mbështetura në kursin e vlerave euroatlantike që karakterizojnë të dy vendet.
Duke e cilësuar një ndër katër partnerët strategjikë, Cakaj tha se “Austria është prej mbështetëseve kryesore të rrugëtimit europian në përgjithësi dhe çeljes së negociatave për anëtarësim në veçanti”.
Ai bëri të ditur se me ministrin austriak diskutuan hollësisht për mbështetjen që Austria do ti japë Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe po ashtu diskutuam për format e ndryshme të asistencës teknike të shtetit austriak për të kontribuar në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të përballuar presionin dhe sfidat që vijnë nga ky proces.
Cakaj shtoi se biseda u përqendrua edhe në çështjet bilaterale mes dy vendeve.
“Trendi i jnvestimeve austriake në Shqipëri është rritur dhe po bashkëpunimi ynë ën fusha të ndryshme po vazhdon”, – tha Cakaj.
Cakaj falënderoi ministrin dhe shtetin austriak për mbështetjen e kryesisë shqiptare të OSBE.
I pyetur për ankesat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, për konsullatën shqiptare në Selanik, Cakaj u shpreh se “ne kemi filluar një fushatë të komunikimit me qytetarët dhe kemi krijuar një platformë për ankesa . Numri i ankesave është prezent dhe ne po punojmë në adresimin e tyre. Për këtë na nevojitet edhe bashkëpunimi i qytetarëve, nuk do të ketë asnjë ankesë apo asnjë shqetësim që nuk do të trajtohet.
“Jemi të vetëdijshëm për problemet ekzistuese, por ato nuk mund të zgjidhen brenda ditës”, – shtoi Cakaj.
Në lidhje me zgjedhjet në Kosovë Cakaj u shpreh se “Kosova i ka dhënë shembull rajonit se si organizohen zgjedhjet dhe me çfarë standardi të lartë ndodh edhe ndryshimi i pushtetit. Kosova ka dëshmuar se ka një elektorat të pjekur dhe të ndërgjegjshëm” .
“Ne mezi po presim të nisim bashkëpunimin me qeverinë e re te Kosovës pë rtë thelluar më tej bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë”-, tha Cakaj.
Ndërsa i pyetur nëse i druhet një vote kundër në 18 tetor të Holandës, Cakaj tha se “jemi në një përpjekje intensive për të siguruar votat pro. Nuk kam frikë votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për të siguruar vota pro”./atsh