Loading...

Shalsi: Papunësia në kuotat më të ulta historike. Në shtator u hapën 12 000 biznese

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ka theksuar të mërkurën në mbrëmje, se papunësia është në kuotat më të ulta historike 11,7%.

Gjatë një interviste televizive, ministri Shalsi, theksoi se qeveria është e fokusuar në kualifikimin e fuqisë punëtore. Duke folur për rritjen ekonomike ai tha se luhatjet janë normale, në një proces të vazhdueshëm të rritjes ekonomike, teksa shtoi se gjatë muajit shtator numërohen rreth 12 000 biznese të hapura.

“Nëse do t’i referohemi shifrave, papunësia është në kuotat më të ulta historike 11,7%. Nga ana tjetër po bëjmë çmos për kualifikimin e fuqisë punëtore. Ka disa paradokse, kur vjen puna për të interpretuar të dhëna dhe shifra të ndryshme. Unë sapo jam kthyer nga një vizitë në vendet e Lindjes dhe sot Çekia, Sllovenia, Rumania, po ndeshen me vështirësi për kushte më të mira pune dhe paga më të mira. Sot është e vështirë të ndalosh një të ri që gjen kushte më të mira në Gjermani apo vende të tjera të Europës”, – tha Shalsi.

Ministri shtoi se “nëse lexojmë raportin e fundit të shqiptarëve që dalin jashtë Shqipërisë për turizëm është në terma krahasueshme me vendet e zhvilluara. Nga ana tjetër kam një të dhënë, mesatarja e shpenzimeve familjare ka shkuar 74 mijë lekë të reja në muaj. Çështja është se ku jemi, ku e kemi potencialin dhe ku duhet të shkojmë. Sot kemi gjatë muajit shtator 12 000 biznese të hapura dhe 4 000 biznese të mbyllura”.

Duke folur për rritjen ekonomike, sipas Shalsit, në rast se merr qeverisjen kur rritja ekonomike e trashëguar është 0% dhe tenton të rritesh me shpejtësi, ndodh që të kesh dhe luhatje të tilla.

“Në fakt parashikimi për rritje ekonomike nuk kanë qenë vetëm të qeverisë, por edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. Projeksionin e tyre, institucionet financiare ndërkombëtare e kanë bazuar në disa parametra të cilat janë reale”, – tha Shalsi.

“Dy janë faktorët kryesorë që kanë sjell luhatje. Një është sektori i lojërave të fatit, zyrtarisht i njohur si zëri i ‘Arte dhe Argëtim’ dhe e dyta është sektori energjetik, që për shkak të thatësirës ka ndikuar jo pak”, – theksoi Shalsi.

“Nëse disa vite më parë kishim sektorin energjetik në kolaps, ku gjysma e shqiptarëve nuk e paguante energjinë elektrike, sot e paguajnë dhe ky sektorë e ka kaluar rrezikun. Shqipëria ka nevojë për një stabilitet strukturor në gjenerimin e të ardhurave. Kur shkon nga një rritje ekonomike 0% dhe tenton të ngrihesh, dhe ke një ngritje të vazhdueshme ekonomike, luhatje të tilla janë normale”, tha Shalsi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com