Saranda në çdo stinë të vitit është një kërshëri që të tërheq, për plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta natyrore.
Edhe pse prag vjeshte gjatë muajit shtator në portin e Sarandës, pati një fluks të shtuar të udhëtarëve vendas e të huaj.
Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “vetëm nga katër kroçera të ardhura nga Greqia në portin e Sarandës kanë mbërritur rreth 10 mijë turistë të huaj”.
Sipas portit, kroçerat kanë pasur në bord turistë nga Austia, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj.
“Turistët e huaj kanë vizituar pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamil, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj”, shprehet porti.
Qëndrimi për 6 deri 8 orë në qytetin e Sarandës u ka dhënë mundësinë vizitorëve të jenë në kontakte me vendasit, ku sipërmarrësit privatë përpiqen të ofrojnë më të mirën e shërbimit.
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike. Vetëm gjatë këtij viti në portin e qytetit bregdetar kanë rezervuar 42 kroçera.
Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik ka një fluks të shtuar./atsh