Loading...

Rama në Itali: Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse bashkimit të plotë me Europën

Kryeministri Rama ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në shtetin fqinj, Itali ku ka pasur dhe një takim të rëndësishëm me homologun e tij italian, Giuseppe Conte.

Pas takimit, dy Kryeministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp ku kryeministri Rama shprehu dhe njëherë mirënjohjen e tij për vullnetin e palëkundur të Italisë në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Duke folur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryeministri Rama tha se, “fatkeqësisht, Këshilli Europian nuk arriti dot të marri vendimin e duhur, duke i mohuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, atë që meritonin dhe natyrisht duke dhënë një mesazh dobësie dhe e thënë deri në fund, një mesazh pafuqie për të mbajtur premtimet nga ana e BE. Por, siç e ndava dhe me kryeministrin, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse asaj që është rruga e projektuar nga rilindasit tanë dhe e ndjekur vijimësisht nga populli ynë, rruga e të bashkimit të plotë me Europën. E në këtë rrugë, ne jemi besimplotë edhe për faktin se kemi miq të mëdhenj dhe partnerë të palëkundur si Italia”.

Ndërkohë, duke folur edhe për situatën në vend, kryeministri shprehu vullnetin e palëkundur të maxhorancës për të çuar deri në fund reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Këtë rrugë ne do të vijojmë po njësoj, gjë për të cilën informova Kryeministrin edhe lidhur me përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore të cilën dëshirojmë padiskutim ta kryejmë, në marrëveshje me të gjitha forcat politike, por do ta përmbushnim në parlamentin e Shqipërisë, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR. E nga ana tjetër, me kënaqësi mora nga kryeministri, mbështetjen e plotë për paketën e re antikrim dhe antikorrupsion që ne po përgatisim, ku njohuritë, dija, eksperienca e Italisë mike dhe njerëzve që do të na vihen në dispozicion janë me një vlerë të paçmueshme”, theksoi Rama.

Në fund të kësaj konference të përbashkët, duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, kreu i qeverisë shqiptare thotë se “Italia është faktori kryesor i huaj në tregun shqiptar. Të gjitha shifrat flasin për këtë. Numri i italianëve që vizitojnë Shqipërinë vjen në rritje. Shifrat e vetë shtetit italian për rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, çdo vit, flasin vetë. Kompanitë italiane janë të mirëpritura. Disa investime strategjike për të cilat ne kemi diskutuar janë në proces dhe ne mirëpresim padyshim kompanitë e mëdha italiane që të përfshihen në këto investime. E sigurisht që vlerësojmë pa masë edhe aspektin e dijes dhe të eksperiencës që këto kompani sjellin”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com