Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë nga njerëzit e drejtësisë që përpiqen të përfitojnë çfarë të mundin përpara se të spastrohen nga sistemi përmes Vetingut, nuk do mbetet pa u ndëshkuar.
Duke iu referuar rastit të prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, i cili ka shantazhuar ish-kreun e Kadastrës së Durrësit, Kryeministri tha se drejtësia do të vendoset shumë shpejt.
“Fatkeqësisht po shohim që pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm, por shumë të rëndë mbi qytetarët, sepse shumë prokurorë e gjykatës, që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë shumë mirë që s’kanë asnjë shans ta kalojnë Vetingun, po e shfrytëzojnë pushtetin që iu jep ligji me moton “të kapim, çfarë të kapim”. Ju e patë vetë, javën e kaluar, një rast flagrant i shkeljes së ligjit, i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues të interesave të krimit, që, sigurisht nuk do i shpëtojë ndëshkimit”, – u shpreh Rama gjatë takimit të përjavshëm të Bashkëqeverisjes.
Kryeministri theksoi se sistemi i pastruar do pastrojë ata që ndëshkohen nga Vetingu një kusht detyrues ky i vënë edhe nga Bashkimi Europian.
“Dua ta theksoj sot, atë që kam thënë që në ditën e parë, duke mirëkuptuar edhe mungesën e mirëkuptimit të qytetarëve, edhe qytetarë të dëshpëruar që thonë “pse kjo ishte” dhe që nuk kuptojnë, apo janë të papredispozuar psikologjikisht të kuptojnë që ndërrimi i një sistemi drejtësie kërkon kohë, ajo që kam thënë që në krye të herës ka qenë që, Vetingu do pastrojë dhe sistemi i pastruar do pastrojë ata që ndëshkohen nga Vetingu. Më vjen shumë mirë që, ky është kthyer edhe në një kusht detyrues nga BE,” u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë ishte mjaft i qartë kur tha se asnjë përfitim në rrugë kriminale nuk do mbetet pa u gjykuar dhe se të çdo pasuri e paligjshme e vënë nga gjyqtarë e prokurorë me të tilla manovra do të sekuestrohet.
“Të jenë të sigurt të gjithë që ata të cilët Vetingu i përjashton do të rikthehen para prokurorëve, gjykatësve për të dhënë llogari për pasuritë e tyre të pajustifikuara! Të jenë të sigurt të gjithë ata që bëjnë krime, edhe sot që flasim, ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë deri dhe për të marrë “rroga”, shpërblime të majme nga organizata kriminale, se, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë!” – u shpreh Kryeministri Edi Rama. /atsh