Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic deklaroi sot në Bruksel se rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të lojës, duke komentuar kërkesat për të ndryshuar metodologjinë e negociatave për anëtarësim në BE përpara se të miratohet fillimi i tyre me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Metodologjia e re e rishikuar e zgjerimit, sugjeruar kryesisht nga Franca, do të bëjë që të mbahet një qëndrim ndryshe ndaj negociatave që po zhvillohen nga Serbia dhe Mali i Zi dhe, ndoshta, edhe për ato që po zhvillohen nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Kjo duhet diskutuar, por ndryshimi i rregullave në rrugë e sipër, nuk është gjë e mirë”, tha Plenkoviç para samitit të BE-së.
”Takimi i krerëve të shteteve ose qeverive do të diskutojë një propozim për të caktuar një datë për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një dukuri e pazakontë, pasi zgjerimi zakonisht trajtohet në nivele më të ulëta, në nivel ambasadorësh ose, ndoshta, ministrash”, shtoi ai.
“Komisioni Europian rekomandoi shumë qartë hapjen e negociatave dhe se është koha e duhur. Ne besojmë se kjo është çështje besueshmërie e të gjithë procesit”, tha Plenkoviç duke përsëritur se Kroacia mbështet hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet./ atsh