Loading...

Paratë që m’i dhanë shqiptarët do ia jap asaj nëne – Djali im nuk do të shërohet kurrë

Kishte shpresa se do ta dëgjonte të fliste djalin e saj, por bota i ra mbi kokë.

Sokoli nuk do të mund të dëgjojë e flasë dot. Kur nëna e Sokolit doli përballë doktorit dhe ai i tha se asgjë s’mund të bëhej, frymëmarrja iu bë e vështirë.

Sokoli vetëm 6 vjeç nuk ka nerv koklear dhe implanti i siguruar nga të gjithë shqiptarët përmes emisionit ‘shqiptarët për shqiptarët’ nuk do të mund të kryhet.

Nëna e Sokolit flet e përlotur për momentin kur doktori i tha se i biri nuk do të dëgjojë apo flasë asnjëherë.

Nëna e Sokolit: Mjeku na la një kohë tre muaj derisa të kryhej ndërhyrja por zemra po më thoshte sikur nuk do të kishte sukses pas asaj përgjigje. Në tre muajt e verës e kam pritur me shumë vështirë me padurim. Erdhi rezultati për JO…. Por falë Zotit djalin e kam mirë, më kupton me shenja, aftësitë i ka shumë të mira. Jam shumë e lumtur edhe me këtë dhuratë që Zoti më ka dhënë, unë do jem një mbështetje për të gjithë jetën. Sokolit i mungonte nervi koklear dhe pa këtë nuk e arrinte dot atë që kërkonte mjeku, operacioni do kishte funksionuar vetëm nëse ai do të kishte nervin koklear. Nuk i heq shpresat nga Zoti. Nuk i dihet jetës.

Një ditë djali më kërkoi kamer të vjetër. Ia bleva, e vendosi diku dhe më tha me shenja eja ulu, donte të fliste atje u preka shumë. I falënderoj shumë shqiptarët që bënë të pamundurën për Sokolin, që kontribuuan por ja që fati i djalit nuk ishte i mirë.

Po ashtu Flavia vuan nga i njëjti problem me dëgjimin dhe të folurën dhe nëse nuk operohet, atëherë edhe ajo do të mbetet shurdh-memece.

Nëna e Sokolit, Liljana: Kur e mora përgjigjen e Sokolit, që djalit nuk i funksionin aparati, unë mendova që këto para që i dhuruan shqiptarët përse mos të shkojnë për një fëmijë të vogël. Meqë paratë u nisën për një fëmijë, që implanti koklear meqë nuk i funksioni djalit tim Sokolit, të funksionojë për një fëmijë tjetër. Mua rasti i Flavias më ka prekur shumë, jashtë mase. Aq lot sa kam derdhur për Sokolin aq shumë kam qarë edhe për Flavian kur unë lexova mesazhin e saj. Dëshira ime ishte që paratë e Sokolit të shkojnë për Flavian me gjithë zemër me gjithë shpirt, që Flavia t’i dëgjojë prindërit e saj kur t’i thërrasin…

Historia e Flavias së vogël është po aq e dhimbshme. Një vajzë që shndërrit mirësi, por që fatkeqësisht nuk dëgjon dhe nuk flet dot. Dhimbja e nënës së saj është e madhe.

Nëna e Flavias: Ishte fëmija jonë i parë, gëzimi i parë. Siç do çift kur vjen fëmija i parë gëzimi është i madh. Kemi qenë shumë të përkushtuar, unë bashkëshorti vjehrra, Flavia po rritej ne prisnim se ajo do reagonte, do i përgjigjej emrit të saj. Kur Flavia mbushi një vjeç ne i bëmë vizitën e parë, por testi i dëgjimit i doli negativ. Për ne të dy u shemb bota kur na thanë se vajza nuk dëgjon.

Babai i Flavias është një dibran i fortë dhe para kameras e mban veten, por në fytyrë dhimbja i shfaqet kollaj. Kur është pranë të bijës dhe flet për emisionin shqiptarët për shqiptarët thotë se gjithçka do ta jepte, jetën, banesën gjithçka, vetëm që e bija të dëgjonte dhe t’i thoshte baba.

Babai i Flavias: Kur shkuam në spital më thanë se nuk mund të vendosi as kufje por vetëm duhet të kryejë operacion. Operacioni kushton shumë, unë më një rrogë jam. Dua të shes shtëpinë por kjo nuk është me letra, nuk e merr njeri. Do dilja të jetoja në çadër vetëm që fëmija të dilte në jetë… Jetën time do jepja që Flavia t’i kthehej jetës normale si gjithë fëmijët e tjerë. Kjo dhimbje i tejkalon të gjitha. Çdo ditë është vuajtje për mua. Para fëmijës jam i pafuqishëm, gjithë ky burrë që dukem kështu…se di!”

Nëna e Flavias takon nënën e Sokolit, Liljanën. Dy nënat shqiptare përqafohen teksa Liliana thotë se paraja është thjesht një copë letër krahasuar me jetën e Flavias. E uron nënën e Flavias dhe shpreson që ajo të marrë një lajm të mirë për të bijën, ndryshe nga lajmi i rëndë që mori ajo për të birin, Sokolin.

Elvis Naçi: Spo gjejmë fjalë. Kemi mbetur pa tekst me këtë gjest që ke bërë Lilijana. Gjesti yt është kthyer në shpresë, vepra juaj dhe e bashkëshortit tuaj është e madhe. Të garantoj se nëse gjesti i bukur i Liljanës nuk do të ishte këtu, ta kesh të sigurt se ne dhe të gjithë shqiptarët do na kishe gati për të kontribuar për Flavian.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com