Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi. Në fjalën e tij për prezantimin e paketës antikorrupsion në fushën e mjedisit, ministri u shpreh se kjo paketë eliminon të gjithë hallkën burokratike që e çon administratorin e një biznesi në një raport të vështirë me shtetin, për të pasur mundësi që të luftojmë për mbrojtjen e mjedisit.
“Njëkohësisht, duhet të krijojmë të gjitha hapësirat që biznesi dhe qytetarët ta shikojnë mbrojtjen e mjedisit si detyrim ndaj Shqipërisë turistike dhe gjeneratave që do të vijnë”, – theksoi Klosi.
Gjithashtu, ai u shpreh se kjo paketë është edhe reformë mjedisore për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi, lejet mjedisore online, venddepozitimet, për një Shqipëri të pastër me mjedis të mbrojtur e të qëndrueshëm etj. Pas prezantimit, anëtarët e komisionit i drejtuan ministrit pyetje të ndryshme sa i përket paketës në fjalë.
Më tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e dy projektligjeve “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i lumit Lana – zhvillim urban”. Të ftuar për këto projektligje ishin Belina Ikonomi zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Tedi Bushaj nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Arbian Mazniku nënkryetar i bashkisë Tiranë.
Zëvendësministrja Ikonomi dhe nënkryetari i bashkisë Tiranë Arbian Mazniku, bënë një prezantim të plotë të dy projektligjeve të paraqitura, ku theksuan se nëpërmjet këtij projekti mundësohet krijimi i një shtrati me regjim hidraulik efecient, për të eliminuar problematikën e përmbytjeve në këtë zonë, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme të zhvillimit urban të zonës.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve e përgjigjeve nga deputetët, kryetari i komisionit Niko Peleshi i hodhi projektligjet në votim ku u miratuan nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi. /atsh