“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën”, deklaroi sot Opozita e Bashkuar në një deklaratë për shtyp.
Në deklaratë thuhet se “Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.
“Komisioni i Venecias pohon se qeveria nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi. Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe strandardet evropiane”, thuhet në deklaratë.
“Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues”, thuhet në deklaratë. /atsh