Loading...

“Njerëz të padukshëm” sjell historinë frymëzuese të kirurgut 82-vjeçar, dr. Janul Barxho

“Njerëz të Padukshëm” solli sot historinë frymëzuese të mjekut kirurg, dr. Janul Barxho, i cili edhe pse në moshën 82-vjeçare vazhdon të shërbejë me përkushtim në Spitalin e Përmetit.

Nga pasioni te kirurgjia, te ai për bujqësinë, jeta e kirurgut Barxho vjen përmes rrëfimit të tij për ERTV-në.

“Unë jam kirurgu i parë në këtë spital dhe e kam ushtruar profesionin në kushte mjaft të vështira godine, pajisjesh dhe përvoje. Gjatë gjithë karrierës time profesionale mund të kem bërë mbi 5 mijë operacione”, – thotë ai.

Çdo ditë dr. Barxho kryen konsulta e vizita në Spitalin e Përmetit, për 3 orë nga ora 09:00-12:00. Njëkohësisht në çdo orë të ditës dhe natës nëse ka urgjenca.

“Jam 82 vjeç. Nga lartësia e këtyre viteve shoh që kam bërë edhe unë diçka në shërbim të qytetit dhe të popullit të Përmetit. Me fëmijët është marrë kryesisht gruaja, unë nuk kisha shumë kohë të merresha me ta. Madje të them të drejtën nuk i shikoja se, i lija në gjumë dhe i gjeja në gjumë”, – tregon ai.

Dr. Barxho shprehet se mbresa i ka lënë vetëm operacioni i parë, ndërsa kujton kohën kur është kryer ky operacion. “Atë ditë nga Kryetari i Degës deri te polici më i thjeshtë ishin te dera e sallës së operacionit. Qesharake të them se për llampë qendrore ne kemi marrë një prozhektor të lapidarit në qendër. E adaptuam dhe e bëmë llampë ndriçimi. Kirurgjia ka një gjë, o të ngre, o të fut në dhe… duhet ta dashurosh profesionin”, – thotë ai.

Dr. Barxhos i janë akorduar dy tituj nga këshilli bashkiak i Përmetit, titulli “Mirënjohja e qytetit” dhe “Qytetar Nderi”, ndërsa nga Urdhri i Mjekut “Certifikatë mirënjohje për ushtrimin e detyrës me profesionalizëm”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com