Nisi mbrëmjen e djeshme në teatrin Metropol edicioni i tretë i Festivalit Metrofest i cili do sjell për publikun katër komedi shqiptare. Janë vepra të shkruara gjatë viteve ’20-’30, që shohin dritën e skenës për herë të parë gjatë muajit tetor tek Teatri Metropol.
Edicioni i tretë i festivalit u çel dje me komedinë satrike “Kolltuku” me regji nga Sonila Kapidani e do të shfaqet edhe sot dhe nesër në teatrin Metropol. Në këtë komedi interpretuan aktorët Mirela Naska, Griseld Kapllanaj, Ismail Shino, Bledar Naska, Hygerta Bushpreni dhe Amarildo Bala.
Vepra bën fjalë për një ish-drejtor teatri, dy aktorë të dashuruar dhe një sufler përfundojnë në një ishull të pabanuar në mes të detit pasi u përmbytet anija.
Në këtë takim të gjallë e plot ngjyrime satire ansambli artistik dhe publiku u bashkuan në një mbrëmje të gëzueshme reflektimi ndaj problemeve të ndryshme që kemi kaluar, ngjarjet që vijnë si një pasqyrë ironike e trazirës dhe copëzimit politik që Shqipëria përjetonte në atë kohë.
Edicioni i tretë i Metrofest do shoqëroj publikun gjatë këtij muaji dhe me komedi të tjera si “Sot tetë ditë”, me regji nga Elona Hyseni e cila bën fjalë për një djalë dhe një vajzë të dashuruar, të cilët janë në mes të një dileme. A duhet të fitojë dashuria e tyre për njëri-tjetrin apo mblesëria e përcaktuar nga familjet e tyre? Po sikur dashuria dhe mblesëria ta kishin syrin në të njëjtin vend?
“Karagjozi” është një tjetër komedi e shkruar nga Skënder Guri, me regji nga Rexhina Mollaymeri, e cila ka premierë javën e tretë të muajit tetor. Tinger Beu feston ditëlindjen e vajzës dhe vendos të sjellë në fshat kafshë ekzotike nga xhunglat e largëta. Beu ngarkon karagjozin e fshatit që t’ja zbutë kafshët nëpër kafaze përpara se të habisë dynjanë me shfaqjen e tyre. Por karagjozi dembel dhe qejfli i ther kafshët për t’i ngrënë.
“NjëMi në xhep” është komedia e radhës e autorit Hivzi Sulejmani me regji nga Aldi Hysotoci. Komedia me tre akte bën fjalë për Skercon, një nëpunës shtetëror, që ka aspirata për t’u bërë ministër. Në fund të fundit, pse të mos bëhet? Edhe gruaja e tij është dakord që ai e meriton. Ditët e Skercos janë të ngarkuara me hallet e këtij populli që nuk kënaqet kurrë dhe s’ta di as për faleminderit. Ndërkohë që ëndrrat për përfitime të reja vazhdojnë, portieri i sjell Skercos vendim nga lart.
Përpos komedive pjesë e “Metrofest 3” është edhe organizimi mbrëmjes poetike kushtuar krijimtarisë së Lasgush Poradecit me titull “Ndrit vash’ e kulluar, në flakë e pushtuar” dhe koncerti “Imazhi Jazz i Gjon Milit”.
Shfaqjet do të prezantohen nga data 3 deri në datë 27 tetor në Teatrin e Metropolit./atsh