Ministret e kabinetit qeveritar i kanë dërguar një letër deputetëve të Holandës, ku kërkojnë mbështetjen ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Duke nënvizuar faktin që vetëm përpara pak ditësh, OKB-ja e njohu Shqipërinë si njërën prej pesë vendeve të globit me kabinetin më të balancuar gjinor, ministret shprehen se “si nëna, si motra dhe si gra që luftojmë për familjet tona dhe vendin tonë, ne do të donim të shtronim me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, perspektiva europiane e vendit tonë”.
Në letrën drejtuar deputetëve të Holandës, ministret theksojnë se “dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta”.
“Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”, thuhet ndër të tjera në letër.
Ministret theksojnë së në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore.
“Ne në Shqipëri kemi një një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore. Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm, dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë”, thuhet në këtë letër.
Por Shqipëria ka një histori shumë të ndryshme, thuhet në letër. “Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut. Qeverisë holandeze i kujtohet se pavarësisht vështirësive, gjatë këtyre tre dekadave ka pasur përparime të jashtëzakonshme; vendi po ndryshon për mirë çdo ditë, por nuk mungon gjithashtu ndërgjegjësimi se kemi ende një rrugë të gjatë përpara”, thuhet në letër.
Ndërkohë po sot Dhoma e Ulët në Holandë do diskutojë në orën 20:30 për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian./atsh