Loading...

Meta vlerëson Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” me dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja” me dekoratë “Nënë Tereza”: “Për punën e palodhur dhe përkushtimin ndaj fëmijëve në nevojë, duke iu ofruar strehim, edukim dhe ngrohtësi shoqërore; për dashurinë dhe përkujdesjen e dhënë me qëllim transmetimin tek ata të vlerave më të mira morale dhe njerëzore”.

Në fjalën e mbajtur, gjatë ceremonisë solemne, të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit, Presidenti Meta u shpreh se, “kam kënaqësinë e veçantë të nderoj me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’ një institucion që ka dhënë një kontribut të madh e të vazhdueshëm për një kategori vulnerabël të shoqërisë sonë, si fëmijët jetimë”.

Duke vlerësuar kontributet e dhëna për 25 vite nga Shtëpia e Fëmijës “Fillime të reja”, për rritjen dhe edukimin e fëmijëve jetimë, Presidenti Meta u shpreh se, “periudha dhe situata në të cilën ndodhej vendi ynë, kur kjo shtëpi hapi dyert e saj, ka qenë shumë e vështirë, me një kuadër ligjor ende të pakonsoliduar për çështjen e fëmijëve jetimë, dhe me një situatë sociale dhe ekonomike të rënduar për shumë familje shqiptare”.

Presidenti Meta vijoi se, “sot, pas 25 vjetësh, kjo shtëpi fëmijësh ka ndihmuar rreth 200 fëmijë të braktisur, jetimë në prindërim apo jetimë social të cilët vijnë nga familje me problematika të mëdha sociale apo financiare. Misioni i themeluesve të Shtëpisë së Fëmijës “Fillime të Reja” është human dhe fisnik dhe me një ndikim të rëndësishëm social në shoqërinë tonë: për të ndihmuar dhe investuar në jetën e fëmijëve me probleme të mëdha në mënyrë që ata të edukohen dhe formohen për të dalë si nga skamja ekonomike ashtu edhe për të gjetur përmbushjen shpirtërore”.

“Të investosh tek fëmijët do të thotë të investosh për të ardhmen e vendit. Por, mendoj që të investosh tek fëmijët vulnerabël dhe që nuk kanë mundësi pranë familjeve të tyre, dhe t’i përgatisësh për sfidat e së ardhmes duke i rritur intelektualisht, ka vlerë edhe më të madhe për mbarë shoqërinë dhe vendin tonë. Të shpëtosh këta fëmijë, nga dhuna dhe përjashtimi, duke u ofruar jo thjesht një strehë, por edukim dhe një të ardhme më të mirë është një mision fisnik”, tha Presidenti Meta.

Presidenti Meta theksoi se, “Shtëpia e Fëmijës “Fillime të Reja” nuk mund të ndryshojë të kaluarën e këtyre fëmijëve, as realitetin ku ata janë rritur, por qëllimi i saj është që përmes gjuhës së dashurisë të investojë për të ardhmen e tyre duke kontribuar në këtë mënyrë për të gjithë shoqërinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Në 25 vitet e punës së tyre Shtëpia e Fëmijës “Fillime të Reja” ka patur shumë histori suksesi. Disa prej fëmijëve që janë rritur në këtë shtëpi fëmije, sot kanë krijuar familjet e tyre, disa kanë mbaruar shkolla profesionale dhe janë integruar në tregun e punës, e disa të tjerë kanë ndjekur universitetin”.

“Shtëpia “Fillime të Reja” ka shërbyer me besnikëri për 25 vjet në kujdesje të fëmijëve të vegjël, por puna e tyre ka një domethënie të madhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Dhe kjo domethënie është dashuria. Vendi ynë ka më shumë se kurrë sot nevojë për besim dhe shpresë, por mbi të gjitha për dashuri. Dashuri për njëri-tjetrin, dashuri për fëmijët, dashuri për njerëzit dhe atdheun tonë të mrekullueshëm. Ju faleminderit “Fillime të Reja” që keni qenë dëshmi e jashtëzakonshme e promovimit të kësaj dashurie”, – përfundoi fjalën e tij, Presidenti i Republikës. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com