Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel deklaroi sot se nuk është arritur vendim unanim për hapjen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, edhe pse siç tha ajo, Shqipëria ka bërë përparime.
Merkel shprehu keqardhje për këtë vendim duke theksuar se qëndrimi i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet me Shqipërinë.
“Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet. Janë disa vende që kanë rezerva. Ne kemi diskutuar në lidhje me këtë. Patjetër që do të zhgënjehen, si kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Shqipërisë”, tha Merkel.
Kancelarja u shpreh se “kur bëjmë premtime patjetër që duhet t’i përmbajmë ato. Nuk do t’i kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që kemi bërë premtime”.
“Unë e mbështes në një pikë presidentin Macron për sa i përket procesit të zgjerimit që duhet reformuar”, u shpreh kancelarja.
“Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë. Gjermania dëshiron që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave deri tek ndryshimi i emrit. Ka qenë progres i madh. Edhe Shqipëria ka bërë progres. Mendoj që Shqipëria ka bërë shumë progres, por nuk u arrit të marrim një vendim unanim për sa i përket Shqipërisë”, tha ajo.
Merkel u shpreh se bëhet fjalë për hapjen e negociatave, jo për anëtarësim.
“Ata patjetër duhet të përballen me disa kushte që kemi vendosur. Në Shqipëri vijon të ketë probleme përfshi dhe emigrimin. Megjithatë Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket emigracionit. Kur bëjmë premtime patjetër që duhet t’i përmbajmë ato. Dhe nuk do t’i kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që kemi bërë premtime. Në fakt ka disa faza për sa i përket anëtarësimit. Vërtet dua që këto vende të bëhen anëtare, por më parë duhet të kalojnë në faza të ndryshme të këtij procesi”, tha ajo.
“Franca dha refuzimin e saj për hapjen e negociatave. Duhet gjithmonë të shohim anët pozitive dhe anët negative të një vendimi të caktuar. Si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë progres. Rasti i Maqedonisë së Veriut ka qenë më i veçantë pikërisht për marrëveshjen e emrit. Nuk është se bëmë një votim. Në rastin e Shqipërisë pati disa vende nga BE që kundërshtuan hapjen e negociatave me Shqipërinë”, theksoi Merkel./atsh